Barcelona nuk ka hequr dorë nga Joao Cancelo dhe po punon për rikthimin e mbrojtësit portugez në “Camp Nou”. Futbollisti 32-vjeçar ka luajtur gjatë gjashtë muajve të fundit në huazim te katalanasit, por këtë herë marrëveshja duket më e komplikuar.
Kartoni i Cancelos zotërohet nga Al-Hilal, ndërsa klubi saudit nuk duket i gatshëm ta lejojë largimin e tij pa marrë një ofertë të kënaqshme financiare. Sipas raportimeve të *Mundo Deportivo*, Al-Hilal e ka përfshirë Cancelon në listën e skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe i ka caktuar atij fanellën me numrin 20.
Një sinjal që tregon se klubi saudit e llogarit portugezin si pjesë të rëndësishme të projektit të tij. Al-Hilal investoi 25 milionë euro për transferimin e Cancelos në vitin 2024 dhe, për ta lënë të largohet këtë verë, drejtuesit kërkojnë një ofertë që raportohet të jetë rreth 10 milionë euro.
Barcelona duhet të gjejë formulën e duhur për të bindur klubin saudit, ndërsa negociatat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim. Për Cancelo, një rikthim në Barcelonë do të ishte aventura e tretë me fanellën blaugrana.
Portugezi luajti fillimisht për klubin katalanas në sezonin 2023/24, përpara se të transferohej në Arabinë Saudite, ndërsa më pas u rikthye për një tjetër periudhë gjashtëmujore në sezonin e kaluar.
