​32 figura që lëvizin në 64 katrorë, bëhen “urë” për katër

0%

Në një tabelë të vogël, katrorët janë të njëjtë për të gjithë. Figurave nuk u intereson se kush i lëviz ato, as nga vjen kundërshtari. Por përtej lojës, në Klubin e shahut “Shadërvani” në Prizren, kjo tabelë po bëhet një pikëtakim ir fëmijëve të komuniteteve të ndryshme.

Mes tyre janë edhe Hena dhe Xhani, dy shahistë nga komuniteti turk që në këtë klub jo vetëm kanë zhvilluar aftësitë e tyre në shah, por kanë krijuar edhe shoqëri me bashkëmoshatarë shqiptarë, boshnjakë e romë. Foca: Boshnjakë, turq, shqiptarë e romë të gjithë u bëmë bashkë dhe luajmë së bashku “Shahun e kam mësuar në shtëpi nga gjyshi im.

Pastaj erdha këtu dhe vazhduam të luanim së bashku me shokët e mi. Boshnjakë, turq, shqiptarë, të gjithë u bëmë bashkë dhe luanim së bashku. Këtu jam ndier shumë rehat. Që prej atëherë, kam marrë pjesë në tri kampionate. Dy herë kam dalë i pari në kategorinë U8 dhe një herë në kategorinë U10”, tha ai. Për Henën, suksesi në shah është vetëm një pjesë e asaj që e mban të lidhur me klubin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Krahas garave dhe titujve, ajo veçon edhe shoqërinë që ka krijuar këtu, një shoqëri që përtej tabelës së shahut vazhdon edhe jashtë lojës. Simitçi: Këtu shoqërohemi të gjithë bashkë turq, shqiptarë dhe boshnjakë “Shahun fillimisht e kam mësuar nga babai dhe gjyshja ime. Më pas, gjyshja më regjistroi në këtë kurs, ku fillova të zhvillohem edhe më shumë në shah.

Në vitin e parë që u bëra pjesë e kursit, dola e para në kategorinë U8. Në vitin e dytë dola e para në kategorinë G10 dhe mora pjesë në Kampionatin Evropian në Mal të Zi. Edhe në vitin e tretë dola përsëri e para në kategorinë G10. Edhe këtë vit do të marr pjesë në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Greqi, në ishullin e Kretës.

Këtu shoqërohemi të gjithë bashkë turq, shqiptarë dhe boshnjakë. Edhe këtu ndihem shumë rehat dhe mirë”, tha ajo. Dhe loja nuk përfundon gjithmonë kur mblidhen figurat nga tabela. Për disa prej fëmijëve ajo ka qenë vetëm pika e nisjes për të krijuar shoqëri të reja. Njëri prej tyre është Muhamed Redza nga komuniteti boshnjak.

Në klub, përveç shahut, ai ka gjetur edhe një rreth të ri shokësh, me të cilët komunikon çdo ditë. Redza: Shahun kam mësuar ta luaj përmes shokut tim “Kam zënë vendin e tretë në Kampionatin e Shahut të Kosovës dhe jam pjesë e klubit të shahut ‘Shadërvan’. Shahun kam mësuar ta luaj përmes shokut tim. Këtu shoqërohem me Alionin, Efën, Ensarin dhe Henën”, tha ai.

Me kalimin e kohës shahu është bërë edhe një mënyrë për të komunikuar me njëri-tjetrin, madje edhe për të mësuar gjëra që më parë nuk i dinin. Bamir Ensar Zherka tregon se përveç se ka përparuar në shah, pjesëmarrja në klub e ka afruar me njerëz të rinj dhe e ka bërë të mësojë edhe pak nga gjuha e shokëve të tij.

Zherka: Përveç se aftësohem në shah, shoqërohem dhe mësoj gjuhë të ndryshme “Me thënë të drejtën pjesëmarrja në klub ka qenë kryesorja. Më herët kam ditur si të luaj, po tash di tamam se si të luaj… .. Bashkëpunimi, thënë të drejtën, unë më herët s’kam ditur turqisht, po këtu pak a shumë e kam mësuar turqishten.

E tjetër, përveç asaj, me ata që për shembull flasin boshnjakisht, me ata ndonjëherë anglisht ose me ndihmën e ndonjë trajneri e përkthejmë… … Për shembull me Artin, kemi dalë, kemi shkuar të pijmë çaj… … Ka qenë shumë mirë, po kemi folur për shumë tema të ndryshme, s’kemi folur veç për shah se kur jemi në klub zakonisht flasim vetëm për shah”, tha ai.

E shoqëria që Bamiri ka krijuar në klub nuk ka mbetur vetëm në fjalët e tij. Edhe për familjen e tij, kjo përvojë ka qenë një dëshmi se shahu mund t’i afrojë fëmijët me njëri-tjetrin, pavarësisht nga cili komuniteti vijnë. Zherka: Nuk ka qenë asnjë pengesë, përkundrazi Prizreni është vendi i kulturave të ndryshme “Shahu është një lojë që me të vërtetë ndikon në zhvillimin e fëmijëve.

Dhe kërkoj nga nënat dhe prindërit e tjerë që t’i përkrahin fëmijët e tyre sa më shumë, që ta kalojnë kohën me lojëra logjike, jo me lojëra elektronike… … Nuk ka qenë asnjë pengesë, përkundrazi Prizreni është vendi i kulturave të ndryshme”, tha ajo. Miqësitë që kanë nisur rreth tabelës së shahut, me kalimin e kohës janë kthyer edhe në një mënyrë komunikimi mes fëmijëve.

Për Valmor Bardhin, kryetar dhe trajner i Klubit të Shahut “Shadërvani”, pikërisht këtu qëndron edhe një nga vlerat e shahut: aftësia për t’i afruar njerëzit, edhe kur nuk flasin të njëjtën gjuhë. Bardhi: Shahu njihet si sport që i lidh, është urë në mes komuniteteve “Shahu njihet si sport që i lidh, është urë në mes komuniteteve. I bashkon komunitetet.

Edhe interesant është, kanë filluar edhe gjuhët me t”i mësojnë mes veti. Duke i dëgjuar, duke biseduar, duke komunikuar. Ose ata të dy që nuk i dinë gjuhët, për shembull, njëri flet turqisht e tjetri flet shqip, kur s’po mund të merrne vesh, ata po ia kthejnë edhe anglisht dhe po mund të merren vesh, të kuptohen… …

Tash, për shembull, në këtë rast, e kemi Muhamedin boshnjak edhe Henën që është turke, që po luajnë mes veti. Tash në këtë rast”, tha ai. Por kjo frymë e bashkëpunimit është pjesë e vetë mënyrës se si është ndërtuar klubi. “Shadërvani” është themeluar në janar të vitit 2023 dhe brenda një kohe të shkurtër ka mbledhur shahistë nga komunitete të ndryshme.

Bardhi: I vetmi klub në Kosovë që i kemi katër komunitete “I vetmi klub në Kosovë që i kemi katër komunitete. I kemi shqiptarë, turq, boshnjakë dhe romë.

Pasi që qyteti i Prizrenit është multietnik, pasi që i di edhe unë të tri gjuhët domethënë të Prizrenit, po edhe gjuhën angleze e flasim, po pasi që nuk e kemi lehtë tri gjuhë, i llogarisim romët që i kemi, ata e dinë gjuhën shqipe, kështu që po mund t’u shpjegojmë në të tri gjuhët trajnimet tona, ligjëratat tona gjatë ushtrimeve.

Në kampionat të Kosovës kanë marrë pjesë të gjitha komunitetet. Turqit janë kampionët e Kosovës”, tha ai. Kjo urë mes komuniteteve po ndërtohet në një hapësirë që vetë klubi nuk e ka të përhershme. Klubi “Shadërvani” aktualisht nuk ka një hapësirë të veçantë për zhvillimin e stërvitjeve.

Fëmijët mblidhen dhe ushtrojnë në një hapësirë të huazuar, e cila, pavarësisht nga kushtet, është kthyer në një vend ku ata takohen rregullisht. Gjurgjehallo: Mezi e kemi gjetur këtë vend, por nuk mjafton për të gjithë fëmijë “Tash, thënë të drejtën, mezi e kemi gjetur këtë vend, për të ushtruar… .. Se janë të interesuar, 30 fëmijë.

Po janë të interesuar edhe 20 të tjerë e ku t’i vendosim ata? Prej komunës nuk kemi pasur përkrahje. Sivjet s’kemi marrë asnjë donacion prej Komunës. Sivjet kanë premtuar një shumë tepër të vogël, ende atë s’e ka marrë kryetari. E, ne disa veta që jemi të Kryesisë dhe të Bordit, diçka me ato sa kemi mundësi po ndihmojmë.

Vetëm se kjo nuk çon në rezultat të madh të grupmoshave, kur s’ke vend mjaftueshëm, edhe këtu nuk është i shëndetshëm për të rinjtë. Nuk ka ajër të freskët, po e shihni qysh është nxehtë. S’ka klimë, dritare nuk ka”, tha ai. – Dhe pikërisht në këtë hapësirë, ku sot takohen shqiptarë, turq, boshnjakë e romë, historia e shahut në Prizren ka rrënjë edhe më të hershme.

Për këtë dëshmon edhe Enver Gjurgjehallo, veteran i shahut, i cili prej vitesh është pjesë e këtij sporti në qytet. Ai kujton se edhe në të kaluarën, në ekipin e Prizrenit kanë luajtur shahistë nga komunitete të ndryshme. Gjurgjehallo: Nga dikur dy komunitete, sot shqiptarë, boshnjakë, turq e romë në të njëjtin ekip “Unë kur kam luajt ekipi ka pasur 10 kandidatë, 10 pjesëmarrës.

Kanë qenë 6 seniorë, një ka qenë femër, dy juniorë, edhe një pionier. Kanë qenë dy seniorë serbë. E, ka qenë një serb, junior, edhe ka luajtur nja 5-6 vjet. Pastaj, kanë qenë edhe boshnjakë, bile njëri ka pasur suksesin më të mirin në atë kohë, ka marrë titullin mjeshtër i FIDES, në Zvicër. Edhe ka luajtur për Prizrenin. Turq nuk kemi pasur atëherë, si tash që ka. Edhe rom nuk ka pasur.

Tani në ekip ekzistojnë shqiptarë, boshnjakë, turq dhe romë. Edhe kalojnë mirë, brenda te këto grupmoshat nuk kam parë asgjë që nuk i përket kulturës. Edukatën e kanë shtëpiake, sillen mirë mes veti. Edhe unë si veteran i shahut jam i kënaqur”, tha ai.

Përveç rolit të saj në klub si shahiste në grupin e femrave, Vjosa Curri-Simitçi thotë se bashkëpunimi mes fëmijëve të komuniteteve të ndryshme është bërë pjesë e natyrshme e përditshmërisë së tyre. Sipas saj, edhe kur gjuha bëhet pengesë, fëmijët gjejnë mënyra të tjera për t’u kuptuar dhe për të bashkëpunuar.

Simitçi: Fëmijët janë njësoj, e ndiejnë veten rehat këtu “Nuk e dallojmë, nuk e dallojmë fare, se prej nga vijnë fëmijët. Për ne fëmijët gjithsesi janë njësoj. E kanë derën e hapur e ndiejnë veten shumë rehat këtu… .. Për mua është shumë e lehtë, sepse unë zotëroj gjuhët dhe jam e familjarizuar me komunitete të tjera. Gjithë jetën e kemi ndarë bashkë.

Se Prizreni është një trevë ku janë të gjitha komunitetet që ekzistojnë në Kosovë. Këtu i kemi. Edhe gjithmonë kemi bashkëpunuar dhe kemi bashkëjetuar, kështu që nuk kam vështirësi fare në atë aspekt.

Bile-bile, mund të krijojmë edhe ura, edhe për t’i fuqizuar më tepër vajzat”, tha ajo. – Vjosa Curri-Simitçi është njëkohësisht edhe seleksionuese e ekipit të femrave të Kosovës dhe këtë vit do të jetë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në Olimpiadën e Shahut në Uzbekistan.

Në Klubin e Shahut “Shadërvani” vetëm këtë vit dy shahiste të klubit janë shpallur kampione të Kosovës në grupmoshat e tyre, ndërsa Hena Simitçiu e ka fituar titullin e kampionit në kategorinë G10 për tri vite radhazi. Të dyja do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Evropian në Greqi. Por përtej titujve dhe medaljeve, në këtë klub po fitohet edhe diçka që nuk matet me pikë.

Për fëmijët loja ka sjellë edhe diçka përtej garës miqësi, komunikim dhe njohje mes komuniteteve. Dhe ndonëse klubi ende nuk ka një hapësirë të përhershme, hapësira që ata kanë krijuar mes vete po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Burimi: Bota Sot