Të mos i humbim shkencëtarët tanë, t’i lidhim me vendin!

0%

Shkencëtarët shqiptarë që studiojnë dhe punojnë në universitetet dhe qendrat më prestigjioze të botës janë një pasuri e jashtëzakonshme intelektuale për Kosovën dhe Shqipërinë.

Në cilësinë time si anëtar i Shoqatës së Shkencëtarëve të Kosovës, i propozoj Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH): Të krijohet një program institucional i përbashkët për identifikimin dhe angazhimin e shkencëtarëve shqiptarë me arritje ndërkombëtare. Nuk duhet të mendojmë vetëm për kthimin fizik të tyre.

Duhet të krijojmë mundësi që ata të kontribuojnë nga kudo që ndodhen, përmes projekteve të përbashkëta kërkimore; mentorimit të studentëve dhe studiuesve të rinj; bashkëpunimit me universitetet dhe qendrat shkencore ndërkombëtare; programeve të shkëmbimit dhe partneriteteve shkencore; angazhimeve akademike dhe profesionale; kontratave të punës ose kontratave kërkimore, aty ku është e mundur dhe në përputhje me ligjin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një shembull i këtij potenciali është Pranvera Hyseni, e cila zhvillon studime doktorale në shkencat planetare, me fokus në asteroidë dhe trupat e tjerë të Sistemit Diellor. Por Pranvera nuk është vetëm një emër. Ajo është një shembull i potencialit që ekziston te shumë shkencëtarë shqiptarë në botë.

Prandaj, është koha që institucionet tona të ndërtojnë një mekanizëm konkret për t’i afruar këta njerëz me Kosovën dhe Shqipërinë. Nuk mjafton të krenohemi me sukseset e tyre jashtë vendit. Duhet të krijojmë mundësi që suksesi i tyre të kontribuojë edhe në zhvillimin e shkencës shqiptare.

I bëj thirrje ASHAK-ut, ASHSH-së dhe institucioneve përkatëse shtetërore që ta shqyrtojnë këtë ide dhe të hapin një diskutim institucional për krijimin e një programi të tillë. Shkenca nuk njeh kufij. Le t’i krijojmë edhe ne urat që na lidhin me shkencëtarët tanë në botë. Për një shkencë shqiptare më të fuqishme, më të lidhur dhe më të pranishme në botë.

Dr.Nijazi Halili Anëtar i Shoqatës së Shkencëtarëve të Kosovës

Burimi: Bota Sot