Biologu i çiltër flet mbi debatin e “iluzionit” mbi gjininë, shkrimin e romanit të tij të parë dhe arsyen pse nuk do t’i drejtohet Zotit në shtratin e vdekjes.
Nga: Leaf Arbuthnot / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Biologu dhe ateisti i famshëm Richard Dawkins, bëri emër me librin e tij të vitit 1976, Gjeni egoist [ The Selfish Gene ], në të cilin pohoi në mënyrë të paharrueshme se qeniet njerëzore ishin “robotë gjigantë e të ngathët”, të programuar për të ruajtur gjenet e veta “egoiste”.
Libri riformësoi përgjithmonë mënyrën se si shumë lexues e kuptonin botën – por, shumë të tjerë i zhyti në dëshpërim. Një lexues australian dëshiroi që të mund ta “ç’lexonte” dhe e fajësoi atë “për një seri periudhash depresioni nga të cilat vuajta për më shumë se një dekadë”.
Pesëdhjetë vjet pas botimit të librit – dhe me një botim të ri voluminoz për përvjetorin që duhet promovuar – Dawkinsi mohon se depresioni është reagimi i arsyeshëm ndaj tezës së tij se gjenet janë protagonisti i madh i jetës në Tokë. “Nuk është dëshpëruese, sepse në të vërtetë nuk ka të bëjë me mënyrën se si ne, si njerëz, duhet të sillemi”, këmbëngul ai.
“Dua të them, fjala ‘egoist’ është në titull, por gjeni egoist krijon individin altruist. Mirësia, po aq sa edhe ligësia, mund të programohet nga gjeni egoist – në varësi të rrethanave ekologjike dhe ekonomike”.
Ka shumë mënyra, thekson ai, në të cilat qeniet njerëzore rebelohen kundër gjeneve të veta dhe, si shembull, përmend faktin se ai dhe unë “jemi ulur këtu duke biseduar, në vend që të përhapim gjenin tonë”, gjë që më bën të skuqem disi.
Shembuj të tjerë, thotë ai, përfshijnë matematikën, filozofinë dhe muzikën: “Asgjë nga këto nuk jep ndonjë kontribut të drejtpërdrejtë në përhapjen e gjeneve egoiste. Por, truri ynë është nisur në lloj-lloj drejtimesh të pamundshme”.
Po flasim në një dhomë me letër dekorative muri në zyrën e [shtëpisë botuese] Oxford University Press , pranë vendit ku Dawkinsi jeton me gruan e tij të katërt Jana Lenzová, 40 vjeçe – ilustruese dhe përkthyese sllovake. Çifti u njoh kur asaj iu ngarkua përkthimi i Iluzionit të Zotit [ The God Delusion ]; që atëherë, Lenzová ka realizuar ilustrime të bukura për dy nga librat e Dawkinsit.
Tani 85 vjeç dhe i veshur me një këmishë liri, pantallona të errëta dhe ato lloj atletesh praktike që Brezi Z i adhuron, Dawkinsi lëviz disi më me kujdes se dikur. Ai ka hequr dorë nga ngasja e biçikletës nëpër Oksford dhe së fundmi theu krahun pasi u rrëzua në disa shkallë; nuk e ka më krahun në allçi, por krahu ende i dhemb, thotë ai, duke e rrotulluar atë me një mimikë ankimi.
Megjithatë, nëse është më i brishtë se dikur – shkëlqimi i vjetër grabitqar i inteligjencës mbetet, ashtu si dhe mungesa e tij e famshme e tolerancës ndaj mendimit irracional. “Për hir të Zotit”, rënkon ai kur përmend interesin që shumë të rinj po tregojnë për astrologjinë. “Dua të them, yjet janë magjepsës – t’i korruptosh ata me këto marrëzira”!
Ai është njëjtë i dëshpëruar nga toni i debatit rreth të drejtave të transgjinorëve. “Duket se ideja është se s’ka rëndësi ajo që është objektivisht e vërtetë, ajo që ka rëndësi është mënyra se si ndihesh. Kjo është qesharake.
Vetëm sepse ndihesh se je grua – mendoj se mund ta kesh iluzionin tënd nëse do, por nëse je gjashtë këmbë e katër inçë i gjatë [193 centimetra] dhe merr pjesë në gara noti dhe largohesh me të gjitha medaljet, kjo është thjesht e pandershme. Është mashtrim”. Ajo që ai urren veçanërisht është mënyra se si debati transgjinor ndonjëherë paraqitet si diçka që nuk është aspak e denjë për debat.
“Vërtet i përçmoj taktikat e njerëzve transgjinorë, mënyrën se si ata në fakt nuk e argumentojnë çështjen, por thjesht i anulojnë njerëzit. Kjo është e përbuzshme”, thotë ai. “Është i tmerrshëm fakti se ata nuk mund të zhvillojnë thjesht një bisedë të qytetëruar … Nuk mund ta diskutosh.
Thjesht, njerëzit anulohen, botuesit detyrohen me presion të anulojnë libra dhe gratë detyrohen të ndërrojnë rrobat përpara meshkujve me organet gjenitale të paprekura, Ata vendosen në burgje për femra … Është skandal”. Çfarë mendon ai për pretendimin se njerëzit e cenueshëm transgjinorë mund të shtyhen drejt vetëvrasjes nëse të drejtat e tyre nuk zgjerohen ose mbrohen? “Marrëzi.
Ky është një mit i madh. Këta të ashtuquajtur njerëz vetëvrasës – ata edhe ashtu janë të çrregulluar mendërisht”. Është e vështirë të përfytyrosh shumë intelektualë të tjerë publikë që flasin me kaq pak rezerva për temën e cila shumë të intervistuar i ngushton. Por, sigurisht, Dawkinsi nga natyra është gati për luftë.
Gjatë viteve ka bërë kudo armiq, nga kreacionistët (në vitin 2011 bëri fushatë për të ndaluar mësimin e kreacionizmit në shkolla) deri te njerëzit me aftësi të kufizuara (nënat kanë një detyrë morale, ka thënë ai, të abortojnë fetuset që kanë sindromën Daun).
I patrembur nga tmerret me të cilat është përballur bashkëkohësi i tij i përafërt Salman Rushdie, Dawkinsi ka qenë krejtësisht i gatshëm ta drejtojë fuqinë e tij intelektuale të zjarrit kundër Islamit. Në vitin 2013, ai theksoi në Twitter : “Të gjithë myslimanët e botës kanë më pak Çmime Nobel se Kolegji i Trinisë në Kembrixh [Trinity College].
Megjithatë, ata bënë gjëra të mëdha në Mesjetë”. Ndërsa kritikat – siç pritej – filluan të binin mbi të, ai refuzoi të bënte mea culpa -n [faljen] e zakonshme, duke theksuar se “thjesht po deklaronte një fakt intrigues” dhe duke vënë në dukje se edhe hebrenjtë i kishin tejkaluar bindshëm myslimanët në garën për Nobel.
Ai nuk ka shumë durim, siç thotë, për atë që tani është pothuajse ortodoksi – e popullarizuar nga historiani Tom Holland në librin e tij Dominion – se përparimet shkencore gjatë shekujve të fundit janë bërë pjesërisht falë atmosferës intelektuale dhe kulturore të krijuar nga krishterimi. “Oh, kjo nuk më bën aspak përshtypje”, thotë ai shkujdesur.
“Dua të them – ndonëse Tom Holland citohet të ketë thënë këtë – unë në fakt e kam lexuar librin e tij dhe nuk më duket se ai e argumenton aspak këtë çështje. Është e vërtetë se shkenca moderne u zhvillua në Evropë. Evropa rastisi të ishte e krishterë. Por, nuk shoh shumë lidhje midis të dyjave”. Dawkinsi priret të flasë më ashpër për Islamin sesa për krishterimin.
A i vlerëson ai disa fe më shumë se të tjerat? “Epo, nuk kam takuar kurrë një famullitar anglikan që të mos më ketë pëlqyer. Ata zakonisht janë njerëz shumë, shumë të mirë – shumë altruistë dhe të sinqertë. Mendoj se lloji i njerëzve që i përkushtohen profesionalisht asaj [fesë], në këtë mënyrë, janë në thelb njerëz të ndershëm”.
Ata, vëren ai si me inat, nuk “pajtohen me gjërat e tmerrshme si dënimi me vdekje për apostazi”. Islami, përkundrazi, “i ka këto rregulla të tmerrshme”.
Sado dashamirës që mund të ndihet Dawkinsi ndaj famullitarëve, ai është i pamëshirshëm ndaj Projektit Maja [Project Spire] – planit shumë të kritikuar të Kishës për të siguruar një fond dëmshpërblimi prej 100 milionë paundësh [vlera e përafërt e 117 milionë eurove], si reagim ndaj dëshmive se kishte investuar në tregtinë e skllevërve në shekullin XVIII. “Dëmshpërblime për kë”? – pyet ai.
“Nuk mund t’ua japësh dëmshpërblimet vetë skllevërve. Nëse pasardhësit e tyre rastësisht kanë të njëjtën ngjyrë, e çfarë pastaj”? Vetë Dawkinsi është pasardhës i pronarëve të skllevërve dhe, siç e konfirmon me një vështrim të vrenjtur, as që e ka menduar t’i dhurojë të ardhurat e librave të tij për pasardhësit e atyre që të parët e tij mund t’i kenë mbajtur në robëri.
Kohët e fundit, podkasteri amerikan Joe Rogan tha se Dawkins është zbutur disi; dhe, në të vërtetë, duket se një pjesë e vrullit të tij të dikurshëm është zbutur (dikur ai financoi një reklamë në autobus ku shkruhej: “Mbase nuk ka Zot. Tani mos u shqetësoni dhe shijojeni jetën tuaj”).
Një mik i cili dikur kishte darkuar me Dawkinsin tha se atij nuk iu duk për të qeshur kur, duke e ngacmuar, i kërkuan të thoshte lutjen para ngrënies. Por, këto ditë, Dawkinsi shkon me kënaqësi në kishë – për dasma e gjëra të tjera – dhe është e qartë se i pëlqen shumë të jetë në to. “Mendoj se janë ndërtesa të bukura, janë të mrekullueshme.
Edhe muzika është e mrekullueshme, si dhe dritaret me mozaikë xhamash. Sigurisht që do të më vinte shumë keq nëse do të shembeshin”.
Nuk është për t’u habitur që Dawkinsi nganjëherë akuzohet se ka një qëndrim “ambivalent” [cakeist] ndaj anglikanizmit – duke minuar fuqishëm parimet e besimit në librat dhe paraqitjet e tij në media, ndërkohë që identifikohet si “anglikan kulturor” dhe flet me entuziazëm për ndërtesat dhe personelin e kishës. Çfarë duhet të bëjë në kishë këto ditë një ateist që respekton veten?
“Epo, nuk mund të këndoj më”, thotë ai, “por, po të mundesha, do t’i këndoja himnet”. Kur Charles Darwini, heroi i Dawkinsit, vdiq në vitin 1882, u përfol se natyralisti ishte kthyer në krishterim në shtratin e vdekjes.
Evangjelistja Lady Hope përhapi fjalën se Darwini ishte penduar që e kishte paraqitur teorinë e tij të evolucionit në mënyrën siç e kishte bërë dhe se i kishte kërkuar asaj të mblidhte një kongregacion, në mënyrë që ai të mund “t’u fliste për Jezu Krishtin dhe shpëtimin e tij”.
Fjala e Hopeit më vonë u hodh poshtë si e pabesueshme prej njerëzve që kishin qenë vërtet të pranishëm pranë shtratit të vdekjes së Darwinit, përfshirë fëmijët e tij. Dawkinsi është po kështu i sigurt se nuk do të bëjë një kthesë të leverdishme të minutës së fundit sa i përket çështjes së Zotit. A nuk tundohet të thotë një fjalë, për çdo rast?
“Jam absolutisht i sigurt se nuk do të kem kthim në besim në shtratin e vdekjes”, thotë ai me një buzëqeshje si të peshkaqenit. “Do të shqetësohesha mjaft nëse ndonjë gënjeshtar do ta paraqiste kështu”. Ai nuk duket shumë i shqetësuar nga perspektiva e vdekjes – alternativa, beson ai, do të ishte më e keqe. “Mendoj se ajo që është e frikshme është ideja e përjetësisë”.
Pos kësaj, thotë ai, gjendja të mos jesh i gjallë nuk është gjendje vuajtjeje. “A ishte Mark Twain ai që tha: ‘Isha i vdekur për miliarda e miliarda vjet përpara se të lindja dhe nuk e vuajta kurrë as shqetësimin më të vogël’”?
Megjithatë, ai shpreson të jetojë edhe për një kohë të gjatë – babai i tij vdiq në moshën 95-vjeçare dhe nëna e tij në moshën 102-vjeçare – jo më pak sepse mendon se ka ende shumë për të bërë. “E dua jetën dhe dua të vazhdoj sa më gjatë që të jetë e mundur, por kjo sepse e dua jetën. Ende po shkruaj libra dhe kam dëshirë të vazhdoj të mësoj dhe të shkruaj”.
Ai po punon për romanin e tij të parë – një vepër fantastiko-shkencore – por, thotë me trishtim se po has vështirësi me dialogun (miqtë që e kanë lexuar thonë se të gjithë personazhet e tij tingëllojnë si ai). Ai gjithashtu i bie pak një instrumenti muzikor dhe është gjysh shumë i përkushtuar ndaj nipit të tij tetëvjeçar, “një fëmijë i mrekullueshëm”.
Dua ta pyes më shumë për jetën e tij familjare – Lenzová është gruaja numër katër, ndërsa gruaja numër dy, Lalla Ward, është aktorja që është shfaqur në [serinë] Doktor Hu [ Doctor Who ]. Por, sapo i dallon përpjekjet e mia për ta çuar bisedën në atë drejtim, Dawkinsi më shikon rreptë, pak a shumë siç mund ta shikojë prenë e vet një shpend grabitqar. “Asgjë personale”. thotë ai.
Dawkinsi lindi në vitin 1941 në Najrobi, ku i ati shërbeu gjatë luftës. Në kohën kur familja u shpërngul në Angli, kur Dawkinsi ishte tetë vjeç, ai kishte zhvilluar një dashuri për botën e egër (kjo është një nga kënaqësitë e thella të librave të tij, të cilët gëlojnë këndshëm nga milingonat manipuluese, fluturat dinake dhe qyqet psikopate).
Në shkollën përgatitore ai ishte aq fetar sa të merrte krezmimin. Por, kur ishte rreth 16 vjeç dhe studionte në Andël, “ishim dy ose tre prej nesh që së bashku u rebeluam kundër kësaj”, dhe ai filloi të refuzonte të gjunjëzohej për lutje. Pas shkollës, ndoqi traditën familjare duke shkuar në Baliol të Oksfordit, ku studioi zoologjinë; më pas iu përkushtua kërkimit akademik.
Nisi të shkruante Gjenin egoist në vitin 1972, falë ndërprerjeve të energjisë elektrike në industri të cilat ia kishin ndalur kërkimet laboratorike. Në kohën kur ndërprerjet e energjisë kishin përfunduar, ai kishte shkruar vetëm dy kapituj, por iu rikthye librit gjatë një pushimi akademik në vitin 1975. Mjaft libra shkencorë nuk i rezistojnë kohës.
Por, kur e lexova Gjenin egoist si 15-vjeçare në vitet 2000, më dukej i freskët, subversiv dhe vërtet tronditës për mendjen; 50 vjet pas botimit, ende duket i tillë. A priste Dawkinsi që libri të linte një gjurmë kaq të madhe? “Në fakt, nuk mendova shumë për këtë; njeriu nuk mendon në atë moshë”, thotë ai.
Megjithatë, shton: “Me shaka, ndërsa po e shkruaja, i referohesha si ‘bestselleri im’. Nuk mendoja se do të bëhej vërtet i tillë”. Deri më sot, thotë Dawkinsi, libri ka shitur rreth tre milionë kopje, afërsisht po aq sa suksesi tjetër i tij gjigant, Iluzioni i Zotit .
Një vështirësi që disa lexues kanë me Gjenin egoist – dhe, në të vërtetë, me shumë nga veprat e tjera të Dawkinsit – është nënkuptimi i tij se qeniet njerëzore ekzistojnë vetëm për t’u bindur ndaj urdhrave të gjeneve të tyre të cilat, nga ana e tyre, motivohen nga një shtysë e pavetëdijshme për të bërë kopje të vetvetes.
Dawkinsi ia atribuon edhe sjelljen – në dukje altruiste – egoizmit të gjenit. Ideja ma kujton, i them unë, idenë e krishterë se ne lindim me mëkatin fillestar. “Është për të qeshur, kur libri doli për herë të parë, të dy kapelanët e kolegjit tim më takuan veçmas dhe më thanë se ua kujtonte mëkatin fillestar”, thotë ai.
Dua të zbuloj nga Dawkinsi se si mund të jetosh mirë në epokën pas Zotit, por kam përshtypjen se ai vetë nuk është përballur plotësisht me implikimet morale të shkencës që ka parashtruar: “Nuk jam ndonjë lloj urtaku”, këmbëngul ai në një moment. Megjithatë, thotë se beson që “duhet ta studiojmë darvinizmin për të mësuar se si të mos sillemi”.
Nëse jo te besimi, atëherë mbi çfarë duhet ta bazojmë moralin tonë? I pëlqen, thotë ai, ideja e rregullit të artë. “Të gjithë do të donim të jetonim në një shoqëri ku njerëzit janë të mirë me njëri-tjetrin dhe dashamirës, dhe ku i ndihmojmë të sëmurët dhe të pafatët. Dhe, mendoj se vërtet duket se jemi të programuar për ta bërë këtë.
Dua të them, kur sheh një fëmijë duke qarë, ndien se dëshiron të shkosh dhe ta ngushëllosh”. Dikur votues i liberaldemokratëve, atij i është dashur t’ia kthejë shpinën partisë “sepse ata mendojnë se gratë kanë penis”. Çfarë mendon ai për politikën e trazuar të Britanisë në përgjithësi? “Për momentin, disi po rri mënjanë”, thotë ai, duke tingëlluar mjaft i lodhur.
Me gjithë ashpërsinë e ideve të librave të tij, jeta e përditshme e Dawkinsit, më siguron ai, nuk përshkohet nga vetëdija se ai është i programuar thellë për të kërkuar përhapjen e gjeneve të tij. “Kjo nuk ndikon aspak në jetën time reale si qenie njerëzore”.
Por, ai ka, siç thotë, “një ndjenjë mahnitjeje nga fakti se të gjitha këto gjallesa rreth nesh – të gjitha këto pemë, kafshë dhe njerëz – janë makina jashtëzakonisht të ndërlikuara. Është vërtet e bukur që e kuptojmë se si ndodh kjo, dhe kjo falë Darwinit dhe pasuesve të tij. Është diçka e mrekullueshme të jetosh në një shekull në të cilin e kuptojmë pse ekzistojmë”.
Për disa, kompensimet që sjell njohja e shkencës prapa ekzistencës njerëzore – deri aty ku arrin – duken të pakta. Shumë njerëz do të parapëlqenin të ndiheshin vazhdimisht nën përkujdesjen e një lloj Zoti dashamirës. “Shpeshherë ndeshem me argumentin, ‘pse të mos i lëmë njerëzit t’i kenë iluzionet e veta, ndërsa unë anoj në drejtimin tjetër”, thotë Dawkinsi duke ngritur supet.
“Anoj kah respektimi i së vërtetës”. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për shqetësimet se nxjerrja e së vërtetës në shesh – në një epokë të keqinformimit të shfrenuar në mediat sociale dhe të besimit të verbër jashtë tyre – mund të jetë e vështirë. Megjithatë, nuk është i mbushur me zymtësi për gjendjen e tanishme të gjërave.
Kur ishte më i ri, thotë ai, “mendoja me vete se, nëse ndonjëherë vjen një kohë kur njerëzit nuk janë të interesuar për të vërtetën, nuk do të dua të vazhdoj të jetoj. Dhe, nuk mendoj se jemi aspak pranë një gjendjeje të tillë tani”.
Jemi ulur në kolltukë të mëdhenj, me iPhone -at tanë mbi tavolinën pranë nesh, dhe në orën telefoni i Dawkinsit lëshon një ulërimë si të një zane: është alarmi që ia kujton të marrë pilulat, thotë ai. A është edhe ai i varur nga telefoni, si ne të tjerët?
“I kontrolloj shumë letrat elektronike, shumë shpesh, por nuk bëj atë që quhet mallkimi i lëvizjes së gishtit në ekran [doomscrolling]”, thotë ai. Si arrin të rezistojë? “Nuk shoh ndonjë tërheqje të madhe tek ajo”. Ai ka një numër të madh ndjekësish në mediat sociale – 2.8 milionë në X – dhe dikur postonte rregullisht në Twitter , me plot gjallëri.
Por, entuziazmi i tij për këtë veprimtari është zbehur. Mediat sociale u japin zë, shpjegon ai, “atij lloji të njerëzve të cilët nuk do të arrinin kurrë të botonin diçka … Është si të shkruash në murin e një tualeti, apo jo? Në disa raste nuk përdorin emrin e vet, e quajnë veten Fuzzy Wuzzy. Edhe nëse përdorin emrin e tyre, nuk do të të takojnë kurrë.
Është paksa si kaosi në trafik, kur je i mbyllur brenda flluskës së makinës sate dhe mund ta tregoje grushtin. Por, po ta takoje vërtet dikë ballë për ballë, do të ishe i sjellshëm”. Pesëdhjetë vjet më parë, Dawkinsi ishte biolog me fytyrë rinore që po parashtronte një argument të guximshëm për gjenet para një vendi që nuk e priste – dhe që ishte shumë më i krishterë.
Ku mendon ai se do të jemi pas 50 vjetëve të tjera? “Jam evolucionist; 50 vjet janë thjesht asgjë”, thotë ai. “Do të ishte shumë e pamatur të parashikoje të ardhmen e cilësdo specie të veçantë, përveç faktit se shumica e tyre zhduken”. Megjithatë, mund të kemi mundësi më të mira se shumica e kafshëve për t’i shpëtuar zhdukjes, “sepse kemi teknologji”.
Dhe, megjithëse e pranon se është e pakuptimtë të shqetësohet për trashëgiminë që do të lërë – në fund të fundit, ai nuk do të jetë këtu për ta parë – pranon se megjithatë shqetësohet për të. “Mendoj se do të doja të kujtohesha si dikush i cili e donte shkencën dhe që donte t’ua komunikonte atë të tjerëve”. Mendoj se gjasat për këtë janë vërtet shumë të mëdha.
