Policia e Kosovës ka ndarë sot 14 vetura të reja hibride për policët e lagjes, me qëllim rritjen e pranisë policore në komunitet dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Sipas Policisë së Kosovës, automjetet e reja do të përdoren për mbulimin e zonave sektoriale në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, ndërsa një veturë është ndarë edhe për Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka thënë se vazhdimisht synon rritjen e efikasitetit në punën e policëve të lagjes, në mënyrë që ata të jenë më afër komunitetit dhe nevojave të qytetarëve.
Sipas njoftimit, pajisja me automjete të reja pritet të lehtësojë përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe të forcojë qasjen proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbështetja ndaj Divizionit të Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, konkretisht sektorëve ku shërbejnë policët e lagjes, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Qëllimi, sipas Policisë, është forcimi i bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, si dhe rritja e mëtejme e besueshmërisë dhe transparencës institucionale.
