Kurti: Etno Festi vazhdon ta bëjë Kukajn një vendtakim të artit

0%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Etno Festin në Kukaj, ku ka ndjekur shfaqjen “Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh”, me autor Enver Dugollin. Kurti tha se rrëfimi i Dugollit është dëshmi e vuajtjeve të të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë, duke veçuar edhe Masakrën e Dubravës si një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

“Mbrëmë ishim në Etno Fest ku ndoqëm shfaqjen “Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh”, të autorit Enver Dugollit. Rrëfimi i Enverit nuk është vetëm kujtim personal, ai është dëshmi e një kohe të rëndë, e vuajtjeve të të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë, e dhunës sistematike, e qëndresës dhe e mbijetesës.

Në qendër të kësaj kujtese është edhe Masakra e Dubravës, një prej krimeve më të rënda e mizore të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me regji të Yll Berishës, dramatizim të Alban Beqirajt dhe interpretim të fuqishëm nga Afrim Muçaj dhe Artan Geca, shfaqja e sjell dëshminë historike në skenë përmes teatrit dokumentar, duke e kthyer kujtesën në përgjegjësi për të mos harruar “, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka vizituar gjithashtu ekspozitat dhe instalacionet e shumta të këtij edicioni, mes tyre veprat e Ferid Morinës, Burim Myftiut, Ridvan Slivovës, Gazmend Çitakut, Mentor Berishës, Arben Shalës, Butrint Morinës, Qamil Shahinajt, Berat Hasanit, Doruntina Bytyqit dhe Ermira Belegu Deçanit, si dhe instalacionet e Reporting House, të cilat përmes artit, fotografisë dhe objekteve dokumentuese na rikthejnë te kujtesa individuale dhe kolektive.

“Në edicionin e tij të 16-të, nën temën “Kujtesa”, Etno Festi vazhdon ta bëjë Kukajn një vendtakim të artit, trashëgimisë, historisë dhe krijimtarisë bashkëkohore. Një festival ku e kaluara nuk ekspozohet vetëm për t’u kujtuar, por për t’u kuptuar, për të menduar dhe për t’ua përcjellë atë brezave që vijnë “, tha ai.

Burimi: Bota Sot