Aleancat e padukshme që po sfidojnë identitetin kombëtar

0%

Kjo fotografi, si edhe shumë të tjera që po qarkullojnë, nuk janë thjesht fotografi. Ato janë dëshmi e një realiteti politik që nuk mund të fshihet më pas retorikës dhe kalkulimeve elektorale. Ato dëshmojnë se lidhjet dhe aleancat ndërmjet segmenteve të politikës dhe Islamit Politik vazhdojnë të funksionojnë mbi bazën e interesave të ndërsjella.

Politikanët kërkojnë vota, ndërsa Islami Politik kërkon hapësirë dhe ndikim për agjendën e vet. Ky është një pazar politik që nuk duhet të bëhet në kurriz të identitetit kombëtar dhe të karakterit laik të shtetit. Për një grusht votash nuk mund të sakrifikohen parimet.

Për interesa të çastit nuk mund të lejohet që feja të shndërrohet në instrument politik dhe politika në instrument të agjendave fetare. Dhe pyetja që duhet t’ua bëjmë të gjithë atyre që marrin këto vendime është e thjeshtë: çfarë mesazhi po i japim shoqërisë sonë kur ndërtojmë objekte fetare, ndërsa shkollat po mbyllen për mungesë nxënësish? Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Është çështje e vizionit që kemi për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ne nuk kemi asgjë kundër besimit dhe të drejtës së secilit për ta ushtruar atë. Por jemi kategorikisht kundër instrumentalizimit të fesë për qëllime politike dhe kundër çdo përpjekjeje për ta zëvendësuar identitetin kombëtar shqiptar me një identitet politik-fetar.

Shqiptarët e kanë dëshmuar ndër shekuj se mund të jenë të besimeve të ndryshme dhe, megjithatë, të jenë një komb. Kjo është pasuria jonë dhe kjo është forca jonë. Identiteti shqiptar nuk është pronë e asnjë feje, partie apo grupimi politik.

Lëvizja e Deçanit dhe lëvizjet e tjera kombëtare e liberale do të vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm në mbrojtje të shqiptarisë, të shtetit laik, të lirisë së besimit dhe të orientimit euroatlantik. Ata që sot bëjnë kalkulime me vota mund të fitojnë një mandat, një pozitë apo një palë zgjedhje.

Por historia dhe qytetarët i mbajnë mend shumë gjatë ata që për interesa të ngushta politike sakrifikojnë parimet kombëtare. Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me bindjen se shqiptaria bashkon, ndërsa instrumentalizimi politik i fesë përçan. „Feja e shqiptarit është shqiptaria.“ Kjo nuk është thirrje kundër besimit.

Është thirrje për ta vendosur kombin, shtetin, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në vendin që u takon. Shqiptarët kudo që janë, të bashkuar rreth shqiptarisë, shtetit laik, lirisë dhe vlerave euroatlantike!

Burimi: Bota Sot