Vjellje, diarre e temperaturë, rriten rastet me infeksione

0%

Raste të shtuara me simptoma të infeksioneve gastrointestinale janë raportuar gjatë javëve të fundit në Prishtinë, ndërsa dhjetëra pacientë janë paraqitur për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Doktoresha Endrita Tori-Arifi ka thënë se gjatë kësaj periudhe është vërejtur rritje e numrit të pacientëve me vjellje, barkqitje dhe simptoma të tjera të ngjashme.

“Jemi në periudhën e verës, periudhë kjo e cila e shton numrin e rasteve me vjellje dhe barkqitje, të cilat ne në mjekësi i quajmë gastroenterite akute. Normalisht, në këtë periudhë është vërejtur një rritje e konsiderueshme e rasteve me këto simptoma”, ka deklaruar Tori-Arifi. Sipas saj, nga këto infeksione janë prekur persona të grupmoshave të ndryshme.

“Të gjitha moshat janë të prekura faktikisht. Simptomat të cilat shfaqen janë vjellja, barkqitja, temperatura në disa raste dhe dhimbje barku”, ka thënë ajo. Mjekja ka veçuar si më shqetësuese rastet kur këto simptoma shfaqen te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, për shkak të rrezikut të dehidrimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në fokusin kryesor, ose çka na shqetëson më së shumti, është kur këto simptoma shfaqen tek fëmijët, të moshuarit apo personat me sëmundje kronike dhe është e rëndësishme që këto raste të mos vijnë deri te dehidrimi”, ka deklaruar ajo. Ndërkohë, nga Klinika Infektive nuk është dhënë përgjigje gjatë ditës nëse aktualisht ka pacientë që po trajtohen për shkak të këtij infeksioni.

Mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për grupet më të rrezikuara, dhe marrjen e mjaftueshme të lëngjeve për të parandaluar dehidrimin./RTVD.

Burimi: Telegrafi