​Vazhdojnë operacionet për vënien nën kontroll të zjarrit në Krujë

0%

Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar me intensitet, me angazhim të pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura gjatë gjithë natës.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndoqi nga afër situatën në terren dhe operacionin, si dhe koordinoi angazhimin e strukturave të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe strukturave të tjera të emergjencave civile, shkruan ATSH, përcjell KosovaPress.

Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në terren dhe nga ajri janë angazhuar 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë;, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.

Të gjitha strukturat vijojnë operacionin me angazhim maksimal dhe koordinim të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga toka dhe nga ajri. Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit në zonën e Krujës.

Mbrëmë, situata e zjarrit në Krujë ka detyruar autoritetet të marrin masa emergjente për mbrojtjen e banorëve. Bashkia Krujë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të zonës Barabit-Lluban, ndërsa strukturat e emergjencave, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për realizimin e evakuimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Burimi: Telegrafi