Portieri i Shkëndijës së Tetovës, Ferat Ramani, u paraqit në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së javës së dytë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Vardarit.
Pas paraqitjes pozitive me mesjavë në Ligën e Konferencës ndaj Hibernianit në Edinburgh, Ramani theksoi gatishmërinë e të gjithë grupit dhe objektivin e vetëm të Shkëndijës për përballjen e së dielës (sot) në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup (ora ). Paraqitja me Hibernianin…
Ferat Ramani: “Ne jemi 25 lojtarë në klub, secili ka vlerën dhe pergjegjësinë tij dhe duhet të jetë gati në momentin kur t’i kërkohet. Kështu edhe unë prita shumë i qetë atë moment. Më këtë sport merremi dhe jemi profesionistë, kështu që patjetër që ishim gati gjithmonë dhe gjithmonë do të jemi. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët këtu te Shkëndija.” Për menaxhimin e emocioneve…
Ferat Ramani: “ Aspak, mendoj isha pa emocione negativë. Thjesht isha i qetë dhe i kënaqur që isha në portë. U mundova të bëj maksimumin, të jap më të mirën nga vetja dhe të shfaq atë që di. E gjitha ishte kjo, s’kishte diçka ekstra apo emocione frike. Emocionet ishin pozitive dhe mendoj se çdo gjë ishte e natyrshme.” Hapësira për përmirësim…
Ferat Ramani: “ Mendoj që mundemi edhe më shumë, mendoj se mund t’i evitonim edhe ata dy gola. Mirëpo kjo është ajo që munda, më shumë shpresoj në ndeshjet e ardhshme.” Nga ndeshjet europiane te Vardari… Ferat Ramani: “Aspak tension. Gjithmonë jemi të përgatitur, përgatitemi me maksimumin dhe për ne çdo ndeshje është e njëjtë. Në të gjitha ndeshjet ne futemi për të fituar.
Pa marrë parasysh se kush është kundërshtari, ne punojmë në bazë të asaj që kërkohet nga trajneri dhe japim maksimumin.” Synimi për duelin e sotëm në Shkup… Ferat Ramani: “ Si gjithmonë, vetëm fitore, asgjë tjetër! Skuadra është shumë e përgatitur. Edhe pse kemi pak lodhje nga udhëtimi e ndeshja, ky është futbolli dhe ne jemi gati të përballemi me çdo kundërshtar.
Nesër shkojmë patjetër për tri pikë.”.
