Nga një ekspozitë, te një rrugëtim i përbashkët – kështu ndërtohen

0%

Një ekspozitë që sjell historinë dhe kulturast e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është vetëm një nga mënyrat përmes të cilave ndërtohen ura mes komuniteteve. Në Festivalin Multietnik, që u mbajt gjatë kësaj vere, këto histori u sollën në hapësirën publike përmes ekspozitave dhe aktiviteteve që synuan të sfidojnë paragjykimet dhe stereotipet.

Por për organizatën, përfshirja nuk përfundon me një festival. Ajo vazhdon përmes bashkëpunimit mes komuniteteve, aktiviteteve që krijojnë aftësi dhe mundësi, si dhe përmes mbështetjes së të rinjve në arsim.

Denis Avdiu – zyrtar programi në VoRAE dhe organizator i Festivalit Multietnik Avdiu: Festivali multikulturor, prej tetë vitesh urë mes komuniteteve “Festivali multikulturor është një aktivitet të cilin jemi duke e organizuar tash e tetë vite edhe normalisht si çdo festival i ka sfidat e veta në angazhim dhe në aspektin e asaj se çfarë mesazhi jemi duke dashur me përçuar”, tha Denis Avdiu, organizator i Festivalit Multietnik Këtë herë, një pjesë e këtij mesazhi u përcoll përmes një ekspozite mobile, e cila kishte udhëtuar nga një qytet në tjetrin, duke sjellë para qytetatrëve të Kosovës historinë, kulturën dhe traditat e komuniteteve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por festivali, nuk synon vetëm të prezantojë kulturën e këtyre komuniteteve. Përmes bashkëpunimit me komunitetet e tjera, synohet që komunitetët të kenë më shumë hapësirë dhe mundësi për t’u përfshirë në shoqëri. Avdiu: Bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve është kyç për përfshirje “Inkuadrimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është një nga qëllimet tona në shoqëri normalisht.

Duke bashkëpunuar me të gjitha komunitetet ne po tentojmë që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian me pasur ndikim në shoqëri, me pasur përfshirje në çdo aspekt, duke filluar nga punësimi, nga inkuadrimi në aspekte kulturore, promovimi i kulturave të tyre, edhe komunitetet rom, ashkali, egjiptian janë shumë bashkëpunues në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas drejtorit të organizatës Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, kjo frymë bashkëpunimi reflektohet edhe në pjesëmarrjen e komuniteteve të tjera. Skenderi: Arti përcjell mesazhin e barazisë mes komuniteteve “Ne gjithmonë kemi pasur një pjesëmarrje shumë të mirë edhe të madhe të komuniteteve të ndryshme në festivalin tonë.

Përveç komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, kemi pasur edhe artistët dhe pjesëtarë të komuniteteve shqiptarë, edhe boshnjak, edhe turk, edhe të tjerëve të cilët kanë ardhur dhe përmes performancave të tyre kanë tentuar me e dërguar këtë mesazh të barazisë, të mesazhit të asaj se e ngjashmërisë.

Krejt atyre vlerave që ky festival që tetë vite tani tenton në një farë mënyre me i promovuar në vendin tonë”, tha ai. Një nga partnerët e VoRAE është edhe Terre des Hommes, me të cilin organizata zhvillon aktivitete që synojnë përfshirjen sociale dhe integrimin e komuniteteve.

Për Pajtim Zeqirin nga Terre des Hommes, një pjesë e rëndësishme e këtij procesi është që komunitetet të mos jenë vetëm përfituese, por edhe pjesëmarrëse në krijimin e aktiviteteve.

Zeqiri: Përfshirja e komuniteteve, bazë për ndërtimin e besimit “Realisht është shumë e domosdoshme me pasur një përfshirje aktive të komuniteteve edhe besoj që këto komunitete kanë marrë pjesë edhe në organizimin, edhe në dhënien e ideve të festivalit, për shkak se kur bëhet bashkërisht trajtohet si ko-krijim edhe atëherë rezultatet janë gjithmonë më të mira”, tha ai.

Përfshirja nuk mbetet vetëm në skenën e festivalit. Në kuadër të tij, gratë dhe vajzat patën mundësi të bëhen pjesë edhe e aktiviteteve praktike, përmes të cilave mësuan aftësi të reja dhe shkëmbyen përvoja. Në mesin e tyre ishte edhe 19-vjeçarja Dashurije Jahja nga Mitrovica, e cila prej një viti është pjesë e aktiviteteve të VoRAE-së.

Në këtë aktivitet, ajo bashkë me gratë e tjera u përfshi në mësimin e qëndisjes përmes një metode interesante dhe praktike. Për Dashurijen, kjo është vetëm një nga përvojat që i është shtuar aftësive që ka fituar gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet e organizatës.

Jahja: Aftësitë e fituara, hap drejt pavarësisë “Më ka ndihmuar shumë se ne kemi pasur qejf…, unë kam qepur disa fustana, i kam qepur mamit edhe pak kam filluar në shtëpi me punuar e se është një kurs duke u kryer për makeup te njoni prej të njohurve në Mitrovicë edhe jam duke vazhduar me shoqet e axhës edhe me shoqe” , tha ajo.

Krahas rrobaqepësisë, Dashurija aktualisht po ndjek edhe një kurs për makeup, ndërsa thotë se në të ardhmen do të donte të krijonte një biznes të saj. Jahja: Kurset na japin mundësi të krijojmë të ardhmen tonë “Më ka duk interesant shumë se ne kemi qejf me mësu shumë sene edhe kemi kryer të tjera kurse.

Kam kryer kurs rrobaqepësi, tash jam duke e kryer një kurs për makeup.. kemi qejf me çelë një lokal për makeup, mundemi me çelë edhe për dizajnim me qenë, për fustana, kemi qejf me çelë ”, tha ajo. Mundësitë për përfshirje nuk ndalen te aktivitetet kulturore apo ato praktike. Një tjetër hapësirë ku synohet të krijohen mundësi të barabarta është edhe arsimi.

Në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, përmes projektit “Mbështetje për studentët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”, studentët mbështeten jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në zhvillimin e aftësive të tyre personale dhe sociale. Pjesë e këtij procesi është edhe mentorja Nora Dragaj, e cila punon drejtpërdrejt me studentët.

Dragaj: Mbështetja i ndihmon studentët të kapërcejnë barrierat e përfshirjes “Gjatë angazhimeve që kemi pasur me studentat, jemi munduar që përveç mbështetjes akademike, t’u japim edhe një mbështetje personale sa i përket studimeve të tyre akademike…

Tek ta ka ndikuar besoj shumë, për shkak se ne kemi zhvilluar shumë trajnime akademike, kemi pasur takime me studentat e tjerë, kemi marrë pjesë në trajnime të ndryshme, kemi bërë aktivitete ekstra-kurrikulare dhe ka ndikuar që ata të zhvillojnë aftësitë e tyre të buta, aftësitë e tyre të komunikimit, aftësitë e tyre në punën në grup dhe shumë pika të tjera që ata mos të ndjehen keq, por thjesht të jenë të barabartë me të gjithë studentët e tjerë ashtu siç janë në universitet”, tha ajo.

Për Norën, një pjesë e rëndësishme e këtij procesi ka qenë krijimi i besimit me studentët. Përmes takimeve të vazhdueshme, ajo thotë se ata kanë arritur të flasin edhe për sfidat me të cilat përballen. Dragaj: Krijimi i besimit u mundëson studentëve të flasin për sfidat “Por edhe unë si mentore kam qenë shumë e kënaqur për shkak se kemi arritur t’i afrojmë këta studentë tek ne.

Kemi arritur deri në atë distancë sa ata t’i shprehin ato sfidat që kanë qenë me rëndësi dhe ne t’u japim zgjidhje atyre sfidave”, tha ajo. Një prej studentëve që është pjesë e këtij projekti është Ujkan Kameraj, student i vitit të dytë në Fakultetin e Menaxhmentit në Turizëm dhe Hoteleri.

Për të riun egjiptian, pjesëmarrja në projekt ka shërbyer edhe si mundësi për t’u afruar më shumë me studentët e tjerë dhe për të krijuar bashkëpunim.

Kameraj: Bashkëpunimi i ndihmon studentët të ndihen më të përfshirë “Falë angazhimit të saj [Norës] dhe shoqërimit të saj, na ka socializuar, na ka afruar me vetveten dhe na ka dhënë mundësi që ne të kemi bashkëpunim me ta, të na ndihmojnë me studimet tona”, tha ai. Për Ujkanin, kjo përvojë ka sjellë edhe më shumë afërsi me studentët e tjerë.

Ai thotë se sot bashkëpunimi në universitet është i mirë dhe se studentët nga komunitetet janë të përfshirë në aktivitete të ndryshme studentore. Në fund, përfshirja nuk ndërtohet vetëm në një festival apo aktivitet. Ajo krijohet përmes njohjes, bashkëpunimit dhe mundësive të barabarta – çdo ditë, në komunitet, në shkollë dhe në shoqëri.

Burimi: Bota Sot