Humbja 3-0 në miqësoren ndaj Chelseat ndihmoi në qartësimin e disa ideve të Ruben Amorimit, teksa Milani ka nxjerrë në shitje Pervis Estupinan, Fikayo Tomori, Youssouf Fofana, Samuele Ricci, Zachary Athekame dhe Santiago Gimenez.
Trajneri i ri kishte thënë se dëshironte kohë për të vlerësuar lojtarët që kishte në dispozicion gjatë përgatitjeve verore, përpara se të merrte vendime për shitjet dhe përforcimet. Disa sinjale u shfaqën pas ndeshjes së fundit, humbjes 3-0 ndaj Chelseat në Xhakartë.
Tomori, Fofana dhe Athekame nuk zbritën fare në fushë, duke lënë të kuptohet se koha e tyre në “San Siro” është vërtet drejt fundit, por ata duhet të shiten përpara se klubi të mund të afrojë zëvendësuesit e tyre.
Mbi të gjitha, Amorim kishte dashur të krijonte një ide të qartë se si Estupinan do të përshtatej me sistemin e tij, gjë që i kishte bërë kuqezinjtë të hezitonin ndaj interesimit të Aston Villas. Reprezentuesi i Ekuadorit bëri disa gabime të rënda në aspektin defensiv dhe dukej i shpërqendruar gjatë ndeshjeve miqësore.
Për këtë arsye, raportohet se edhe ai tani është vendosur në listën e shitjeve, edhe pse Aston Villa tashmë ka transferuar Matteo Ruggerin nga Atletico Madrid. Santiago Gimenez aktualisht është i dëmtuar, por Milani po pret oferta për të, pasi FC Porto dhe Lazio dihet se janë të interesuara për reprezentuesin e Meksikës.
Të tjerë që mund të largohen janë edhe Samuele Ricci, i cili është objektiv i Atalantas, si dhe Ruben Loftus-Cheek. Ndërkohë, nuk është sekret se Rafael Leao do të shitet nëse vjen një ofertë prej 50 milionë eurosh plus bonuse. Megjithatë, deri tani klubet turke Besiktas, Galatasaray dhe Fenerbahce nuk duket se janë të gatshme të arrijnë këtë shifër.
Nëse Leao largohet, atëherë Milani mund të përqendrohet te gjetja e zëvendësuesit të tij, ku një nga opsionet është Matias Soulé i Romës, i vlerësuar rreth 30 milionë euro.
