Mikpritja dhe Besa ishin zbukurimet e kombit tonë

0%

Një popull apo komb fisnik dhe i lashtë, i cili nuk ka pasur synime për të pushtuar të tjerët, por ka qenë gjithmonë mbrojtës i vetes nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, natyrshëm ka të rrënjosura në natyrën dhe gjakun e tij vlera, tradita e zakone të dobishme që shërbejnë si bekim për veten, popujt e tjerë dhe njerëzimin në përgjithësi.

Kështu ishte që herët edhe te kombi ynë iliro-arbëror, i cili në qenien e tij kishte Besën dhe Mikpritjen. Shumë udhëpërshkrues e studiues europianë nga e gjithë bota, përmes punës së tyre, kanë spikatur te populli ynë këto dy vlera kanunike, morale dhe rrënjësore, të cilat gjenden thellë në trupin dhe shpirtin e iliro-arbërorëve.

Këto vlera të panegociueshme brenda natyrës dhe gjakut fisnik arbëror e kanë zbukuruar kombin tonë duke i dhënë një imazh pozitiv në botën e qytetëruar, pasi virtyte si Besa dhe Mikpritja janë të rralla në historinë e popujve dhe kombeve të botës.Në traditën tonë kanunike, Besa dhe Mikpritja ishin të lidhura ngushtë si mishi me thoin në vetë natyrën e shpirtit të kombit tonë dardano-arbëror.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mikpritja nuk ishte thjesht një lloj mirësjelljeje apo një gjest sipërfaqësor sa për sy e faqe (pro forma), por përbënte një ligj kanonik të panegociueshëm të karakterit dhe shpirtit të popullit tonë. Vetë shprehja kanunike, „Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut“, tregon se sa e mishëruar ishte kjo vlerë në traditën tonë.

Ky ligj pozitiv zakonor i dha popullit tonë epitetin e një kombi mikpritës, duke lindur edhe shprehjen identifikuese: „Bukë e kripë e zemër të bardhë.“Sipas traditës kanunike, miku gëzonte një status të shenjtë dhe konsideratë të lartë.

Posa shkelte pragun e shtëpisë, atij i ofrohej automatikisht vendi kryesor i nderit në dhomën e pritjes (odë) dhe gjendej nën mbrojtjen e plotë e të sigurt të të zotit të shtëpisë.Përveç vendit të nderit, mikut i shtrohej sofra me të gjitha të mirat, si dëshmi e bujarisë shpirtërore. Shpeshherë, ato ushqime që familja nuk ia lejonte vetes, i ruante dhe i vendoste me respekt para miqve.

Gjithashtu, vlen të nëntokohet se nuk kishte asnjë rëndësi nëse personi që trokiste në derë ishte i njohur apo i panjohur, i pasur apo i varfër, me pozitë të lartë shoqërore apo një njeri i thjeshtë. Nëse jeta e mikut rrezikohej ose në raste ekstreme ai vritej, familja që e kishte pritur dhe i kishte dhënë besën hynte në gjakmarrje me autorët, duke marrë kështu hakun për mikun e saj.

Në studimin e tij:„Albanien und die Albanesen, Landschafts- und Charakterbilder, botim i vitit 1910“, autori gjerman Paul Siebertz ofron një analizë të thellë të strukturave sociale në Shqipëri, duke vërtetuar empirikisht gjetjet e mëparshme të albanologut Johann Georg von Hahn (Siebertz, 1910).

Përmes vëzhgimeve të tij, Siebertz argumenton se kleri vendas—si ai laik, ashtu edhe ai rregulltar—përbënte një faktor infrastrukturor dhe social absolutisht të domosdoshëm për udhërrëfimin dhe eksplorimin e këtyre zonave me gjeografi tejet të thyer e të izoluara.

Ai vë në dukje mirëkuptimin institucional, kujdesin ndaj nevojave të vizitorëve të huaj dhe mikpritja rigoroze që këto zona malore arbërore u ofronin studiuesve që eksploronin fshatrat e thella të Shqipërisë (Siebertz, 1910).Këtë dinamikë Siebertz e përforcon duke cituar dhe analizuar gjetjet e autorit austriak Karl Steinmetz në veprën e tij mbi rajonet malore të Shqipërisë së Veriut (Siebertz, 1910).

Autori nënvizon se misionet fetare gëzonin një vlerë të jashtëzakonshme utilitare për udhëtarët europian apo perëndimorë.

Përveç sigurimit të një infrastrukture më të përshtatshme akomoduese në krahasim me shtëpitë private, autoriteti dhe prestigji simbolik i misionarëve rritnin në mënyrë eksponenciale sigurinë fizike të të huajve; kjo ndodhte sepse popullsia lokale ishte e vetëdijshme që subjekti i huaj ndodhej nën patronazhin ose destinacionin e një misionari katolik arbëror (Siebertz, 1910).Nga pikëpamja e dokeve juridike dhe antropologjike, analiza e Siebertz-it veçon një praktikë specifike të kohës: në mungesë të misionarit, shoqëruesi (udhërrëfyesi) vendas merrte me vete „çadrën e priftit“ si një shenjë semiotike.

Ky artefakt funksiononte si një sinjalizues vizual që nga distanca, duke u bërë me dije fshatrave përreth se personat në fjalë ishin mysafirë të klerikut, i cili shpesh ishte i vetmi individ që posedonte një mjet të tillë në mbarë rajonin.

Sipas normave të së drejtës zakonore shqiptare, çdo individ që lëvizte nën shoqërimin apo emrin e misionarit mbulohej automatikisht nga institucioni juridik i „Besës“, duke gëzuar statusin e të paprekshmit (Siebertz, 1910).Kjo strukturë mbrojtëse, sipas autorit, fuqizohej edhe më tej përmes mekanizmit të “garantëve të priftit” (Siebertz, 1910).

Duke qenë se kleriku, për shkak të dogmës fetare, e kishte të ndaluar të përfshihej në kanunin e gjakmarrjes apo të ekzekutonte hakmarrjen vetjake, siguria e tij garantohej nga një grup jorregulltarësh (laikë) të përzgjedhur nga familjet fisnike, më me influencë dhe më të respektuara të zonës.

Këta garantë merrnin përsipër mbrojtjen fizike të misionarit me të njëjtin rigorozitet sikur ai të ishte anëtar i bërthamës së tyre familjare, duke i krijuar klerit mundësinë për të ushtruar aktivitetin dhe për të lëvizur lirshëm e me siguri relative brenda juridiksionit të tij kishtar (Siebertz, 1910).

Në dekadat e fundit, transformimi i dy shtyllave kryesore të kodit kanunor dhe vlerave dardano-arbërore – Besës dhe Mikpritjes – përbën një realitet të prekshëm shoqëror. Ky proces perceptohet si një lloj venitjeje përballë ndikimeve ideologjike, politike dhe fetare të jashtme.

Lëkundja e themeleve të këtyre vlerave tradicionale të kombit tonë vjen si rrjedhojë e dy faktorëve kryesorë: globalizmit apo modernizmit, dhe depërtimit të ideologjive fetare të huaja, me theks të veçantë rrymat radikale islamike.

Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri në vitet ’90 dhe përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 – e cila u fitua me ndihmën jetike të aleatëve perëndimorë si SHBA-ja, vendet europiane dhe NATO/KFOR – në hapësirën mbarëshqiptare u krijua një vakum shpirtëror dhe ideologjik.

Këtë zbrazëti e shfrytëzuan agjendat e huaja, duke importuar rryma fetare radikale islamike që i shkaktuan dëme të mëdha vendit. Organizata të ndryshme me fonde të dyshimta, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Turqia, hynë në Kosovën e pasluftës me qëllimin e qartë për të shkatërruar imazhin europian të shtetit të ri të Kosovës dhe për të zbehur marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

Ky helm ideologjik ka prodhuar një dëm kolateral: sot, këta propagandues ekstremistë i etiketojnë kryeheroin iliro-arbëror dhe figurat e tjera të ndritura të historisë sonë si të huaja ose armiqësore. Përmes një fjalori përdhosës, ata i cilësojnë këta korifej si “kryqtarë”, thjesht sepse nuk përkojnë me agjendën e tyre të ideologjisë fetare.

Figura e kryeheroit Gjergj Kastrioti(Skënderbeut), si mbrojtës i civilizimit të përbashkët europian, mbetet më e atakuara, duke u pasuar nga sulmet ndaj Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit dhe humanistes me famë botërore, Nënë Terezës.

Ndërtimi i xhamive të shumta në mënyrë të çregullt ka pasur synim pikërisht tjetërsimin kulturor të rajoneve të ndryshme dhe dëmtimin e lidhjes së fortë me botën e qytetëruar perëndimore. Kjo lidhje pro-perëndimore u konsolidua në epokën moderne nga Presidenti vizionar dhe i urtë, Ibrahim Rugova.

Ashtu si Gjergj Kastrioti që e kishte në gjenin e tij traditën e Besës (siç dëshmohet në Besëlidhjen e Lezhës), dhe ashtu si Lekë Dukagjini që e kodifikoi atë në Kanun, edhe Presidenti Rugova e mishëroi mikpritjen dhe besnikërinë ndaj miqve në projektin e tij për Dardaninë europiane. Ibrahim Rugova e vlerësonte kultin e mikut si një trashëgimi të pastër të gjakut dardan-arbëror.

Megjithatë, prej vitesh, grupe dhe individë të caktuar tentojnë t’i zhvlerësojnë këto zakone autoktone, duke u përpjekur t’i zëvendësojnë ato me rregulla morale dhe sjellje të huaja të kulturës aziatike turko-arabe.

Historikisht, Besa dhe Mikpritja kanë qenë vlera mbi-fetare; ato përbënin parime kombëtare që zbatoheshin njësoj si nga shqiptarët e krishterë, ashtu edhe nga ata myslimanë, pa asnjë dallim dogmatik. Sot, tendenca për të vendosur fenë mbi kombin synon pikërisht zbehjen e këtyre karakteristikave unike identitare dardano-arbërore.

Përkundër këtyre sfidave akute, kombi ynë në Dardani(Kosovë) dhe trojet e tjera e ka ruajtur ende në gjenin dhe traditën e tij këtë trashëgimi të rrallë. Sidoqoftë, për të parandaluar humbjen definitive të këtyre vlerave autentike, mbetet urgjente që shoqëria të fokusohet në ruajtjen e tyre përmes një edukimi të shëndoshë institucional dhe një ndërgjegjësimi të lartë kombëtar.[Gjon Keka]

Burimi: Bota Sot