Makina-bombë shpërthen në Kolumbi, goditet pika e pagesës/ Dy roje plagosen, sulmi një ditë pas betimit të presidentit të ri Një makinë-bombë ka shpërthyer në një pikë pagese në Autostradën Pan-Amerikane, në departamentin e Cauca-s, në jugperëndim të Kolumbisë. Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe riktheu në vëmendje aktivitetin e grupeve të armatosura në vend.
Dy roje sigurie kanë pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi. Sipas një dëshmitari, një person la automjetin në pikën e pagesës dhe u largua nga zona me motoçikletë pak para shpërthimit. Ushtria kolumbiane dyshon se pas sulmit qëndrojnë fraksione të shkëputura nga ish-grupi rebel FARC. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësit dhe motivet e sulmit.
Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pas betimit të presidentit të ri të Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, i cili gjatë fushatës premtoi një goditje ndaj grupeve të armatosura dhe luftën kundër narkoterrorizmit. Ministrja e Transportit, Elsa Noguera, u shpreh se qeveria nuk do të lejojë sulmet ndaj infrastrukturës që lidh rajonet e vendit.
Ajo iu referua edhe fjalimit inaugurues të presidentit, duke paralajmëruar rikthimin e kontrollit të territorit dhe forcimin e sigurisë. Sulmi në Cauca vjen në një kohë kur fraksione të ish-FARC dhe organizata të tjera të armatosura vazhdojnë të jenë aktive në disa zona të Kolumbisë. Autoritetet pritet të përqendrojnë hetimet te grupet që veprojnë në këtë rajon.
