Në ndërtesën e Hotel Grand në qendër të kryeqytetit është larguar sot baneri “Free Ukraine” i cili shprehte solidarizimin e shtetit kosovar me Ukrainën, si shkak lufta me Rusinë. Kjo pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama duke bashkangjitur pamje nga momenti i heqjes së banerit ka thënë se Kosova duhet të respektohet si shtet, duke theksuar se solidariteti i Kosovës me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim nuk duhet të nënkuptojë nënçmimin e shtetësisë së saj. “Shteti i Kosovës duhet të respektohet.
Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet” – ka shkruar Rama më në “Facebook”.
Më , Presidenti Volodymyr Zelensky, deklaroi se politika e Ukrainës sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar. Gjatë një konference për media në Beograd, të mbajtur së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Zelensky tha se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe të drejtën ndërkombëtare.
Ai shtoi se, sa i përket Kosovës, qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë. Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. Zelensky vizitoi Serbinë, shtet që është një nga të paktat në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës. “Ne duam paqe dinjitoze”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për arritjen e paqes.
