Ka nisur mbledhja e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, në kuadër të protestës së ditës së 70-të të rezistencës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët kanë nisur të mblidhen në shesh, ndërsa nga turma dëgjohen thirrje kundër qeverisë. “Rama, jep dorëheqjen!” është motoja kryesore e protestuesve.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Protesta e sotme shënon ditën e 70-të të qëndresës qytetare, e cila sipas organizatorëve nisi fillimisht si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike.
Pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime të thella politike dhe institucionale, ndërsa mes kërkesave të tyre është edhe largimi i asaj që e konsiderojnë si “klasa e vjetër politike”. Me kalimin e ditëve, protesta ka vijuar të mbajë të njëjtën kërkesë kryesore: dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshimin e modelit aktual të qeverisjes.
Tashmë sytë janë te marshimi që do të zhvillohet nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku pritet të vijojë protesta e ditës së 70-të.
