Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është rikthyer në një rrëfim për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit te fillimet e karrierës së tij, periudha që do të përcaktonte jo vetëm të ardhmen e tij në futboll, por edhe do ta kthente atë në një prej figurave më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare.
Në rubrikën “Legjendat Flasin”, Cana kujton vitin 1999, fill pas luftës në Kosovë, kur familja e tij, ashtu si mijëra shqiptarë të Kosovës, ishte larguar nga vendlindja dhe ishte vendosur në Zvicër.
Cana tregon se familja e tij kishte shkuar në Zvicër kur ai ishte vetëm 7 vjeç dhe, pas përfundimit të luftës, për shkak të statusit të tyre si emigrantë politikë dhe lejes së përkohshme të qëndrimit, ishte përzgjedhur mes familjeve që duhej të ktheheshin në Kosovë. Në atë periudhë, kur e ardhmja e tij ishte ende e pasigurt, ndodhi një prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij.
Cana mori një ftesë nga Arsenali dhe trajneri i atëhershëm Arsène Wenger për të zhvilluar një provë në Londër. Për 16-vjeçarin, mundësia për t’u stërvitur në një prej klubeve më të mëdha të Evropës ishte një ëndërr. Arsenali ishte në atë kohë një prej skuadrave më të forta në Angli, me yje të futbollit botëror si Thierry Henry. Por ëndrra u ndërpre përpara se të niste.
Kur Cana dhe familja e tij shkuan në ambasadë për të marrë vizën, kërkesa u refuzua. “Ftesa e Arsenalit dhe mungesa e vizës? Në atë moment ka qenë diçka që mund të ishte momenti kyç i ëndrrës. Le të kthehemi pas në kohë, në atë realitet.
Imagjino të jemi ne si mijëra familje që kanë emigruar, Kosova ka dalë nga konflikti, dëmet, humbjet e njerëzve dhe pas dhjetë viteve në Zvicër kur ke bërë gjithçka për të qenë futbollist, në atë moment të vjen një mundësi si Arsenali për një provë në Londër, nga vetë Arsène Wenger”, rrëfen Cana.
Ai tregon se në atë kohë ishte ende pa pasaportë dhe me statusin e emigrantit politik, ndërsa familja ishte përballë detyrimit për t’u kthyer në Kosovë. “Paçka se unë isha në Zvicër prej dhjetë vitesh, kisha shkuar atje në moshën 7 vjeç, urdhri për t’u larguar erdhi. Isha pa pasaportë dhe me statusin e emigrantit politik.
Ajo ftesë erdhi dhe ishte si një ëndërr për të bërë diçka në një klub të madh”, tregon ish-kapiteni. Pas refuzimit të vizës për në Angli, drejtuesit e Lozanës, ku Cana kishte nisur të aktivizohej, i organizuan një tjetër mundësi, këtë herë te Paris Saint-Germain. Por edhe për në Francë Cana nuk kishte dokumentet e nevojshme.
Në moshën 16 vjeç e gjysmë, ai kaloi kufirin ilegalisht në zonën e Gjenevës dhe udhëtoi drejt Francës. “Mua më hipën në makinë dhe kalova kufirin në të zezë, në Gjenevë. Isha 16 vjeç e gjysmë, më hipën në tren në Lyon dhe shkova në Paris”, rrëfen Cana. Në Paris, ai u prit nga drejtuesit e PSG-së dhe zhvilloi provën. Paraqitja e tij ishte bindëse dhe prova rezultoi e suksesshme.
Klubi francez mësoi më pas se i riu shqiptar ishte pa dokumente dhe dëshironte ta mbante në ekip. Cana tregon se ishte i gatshëm të qëndronte, por nuk donte ta bënte pa prindërit e tij, të cilët ishin kthyer në Kosovë pas luftës. “Kur shkova në Paris e ndjeva që shumë pak gjëra do shkonin keq. Ai kalimi i kufirit është ajo që më ndryshoi jetën” , shprehet ai.
Aventura te PSG-ja do të ishte fillimi i një karriere të gjatë në futbollin europian. Cana do të luante më pas për Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes, duke u shndërruar në një prej mesfushorëve dhe mbrojtësve më të njohur shqiptarë të brezit të tij. Një kapitull i veçantë në rrëfimin e tij është ai me Kombëtaren shqiptare.
Cana zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë dhe më pas u shndërrua në një prej liderëve kryesorë të skuadrës kuqezi. Ai numëron 94 paraqitje me Kombëtaren dhe një gol të shënuar, ndërsa për shumë vite mbajti fanellën me numrin 5 dhe shiritin e kapitenit.
Një prej kulmeve të karrierës së tij me Shqipërinë ishte kualifikimi historik në Kampionatin Europian “Francë 2016”, ku Kombëtarja shqiptare mori pjesë për herë të parë në një fazë finale të një turneu madhor.
Në intervistën për FSHF, Cana flet edhe për përvojën e tij si kapiten, rolin e liderit brenda grupit dhe për Kombëtaren aktuale, duke ndarë mendimet e tij mbi elementët që kanë ndikuar në ndërtimin e një karriere të suksesshme. Rrëfimi shkon edhe përtej futbollit.
Ish-kapiteni flet për familjen, jetën pas tërheqjes nga sporti dhe pasionin e tij për historinë dhe arkeologjinë, transmeton ATSH. Sot, në moshën 43-vjeçare, Lorik Cana mbetet një prej figurave simbol të futbollit shqiptar.
Nga një fëmijë emigrant që përballej me pasigurinë e dokumenteve dhe kthimin e detyruar në Kosovë, te një futbollist i afirmuar në klubet europiane dhe kapiten i Shqipërisë, rrugëtimi i tij është shndërruar në një histori që tejkalon kufijtë e sportit.
