Më , SHBK „SALIH ÇEKAJ“ në Zvicër zhvilloi një varg vizitash te lapidarët, bustet, memorialet dhe varrezat e heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve të etapave të ndryshme të historisë sonë kombëtare. Në 15 vende të trevës së Llapit, u takuam simbolikisht me historinë tonë.
Vendosëm buqeta me lule në nderim të atyre që dhanë jetën, punën dhe kontributin e tyre për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Në secilin vend mësuam nga një pjesë të historisë së lavdishme të Llapit, duke përjetuar njëkohësisht emocione të forta dhe dhimbjen e madhe për këta njerëz të paharruar, varret e të cilëve u bënë gurëthemel i lirisë dhe shtetit të Kosovës.
Kjo ditë filloi me një pritje madhështore, një pritje që vetëm tradita dhe bujaria llapjane dinë ta bëjnë. Pritja u organizua nga Këshilli Organizativ, i kryesuar nga veprimtarët e palodhur të Llapit: Ethem Ajeti, Zenë Zejnullahu, Agron Pajaziti, Mehmet Brezhnica, Hamdi Jaha, Islam Visoka, Fahrudin Murati, Asmon Sheholli, Limon Zeqiri, me në krye Ekrem Shehollin.
Ditën e filluam me një mëngjes të përgatitur me shumë përkushtim, me të gjitha të mirat që ka falur Zoti dhe me traditën e pasur të kuzhinës llapjane, të shtruar në hotelin e bukur „Liri Holding“ në Shakalluk, Podujevë. Më pas vazhduam në Komunën e Podujevës, ku u pritëm nga kryetari i komunës, z. Shpejtim Bulliqi.
E falënderojmë përzemërsisht për pritjen e ngrohtë dhe për informimin rreth punës dhe sukseseve të shumta të realizuara nga Komuna e Podujevës. Pas përfundimit të vizitës në komunë, filluam realizimin e programit të përgatitur nga Këshilli Organizativ. Rreth 30 pjesëmarrës, të shoqëruar edhe nga kryetari i komunës, z.
Shpejtim Bulliqi, vizituam 15 vende, duke filluar nga shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova dhe duke përfunduar në Orllan, te memoriali i Heroit Zahir Pajaziti. Në secilin prej këtyre vendeve, historia fliste. Flisnin lapidarët, memorialet dhe varret. Flisnin emrat e heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve që nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës. Këto vizita nuk ishin vetëm një homazh.
Ishin një udhëtim nëpër historinë e Llapit dhe të Kosovës, një mësim i gjallë për brezat e sotëm dhe një dëshmi se liria që gëzojmë sot është ndërtuar me sakrificë, gjak, mund dhe përkushtim.
Pas përfundimit të programit të vizitave, vazhduam në restorantin e bukur „Milenium“, buzë liqenit të Batllavës, ku Këshilli Organizativ kishte përgatitur një darkë madhështore, të shoqëruar me muzikë të mrekullueshme nga këngëtarë të jashtëzakonshëm. Gjatë darkës mbizotëruan bisedat e ngrohta vëllazërore.
Shkëmbyem përvojat, njohjet dhe libra të ndryshëm që dokumentojnë jetën dhe veprën e familjeve të heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve tanë të dëshmuar. Një ditë e mbushur me histori, krenari, dhimbje, respekt dhe vëllazëri.
SHBK „SALIH ÇEKAJ“ në Zvicër shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë organizatorët, veprimtarët dhe mikpritësit llapjanë që na mundësuan të përjetojmë një ditë të paharrueshme në trevën e Llapit. Lavdi e përjetshme heronjve dhe dëshmorëve të kombit! Nderim për të gjithë veprimtarët që punuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
Respekt për Llapin dhe traditën e tij të lashtë të mikpritjes, atdhedashurisë dhe sakrificës! Kujtesa është detyrë, historia është përgjegjësi, ndërsa atdheu është amanet. SHBK „SALIH ÇEKAJ“ – Zvicër
