Më shumë se 4,000 raste të konfirmuara me virusin Ebola janë regjistruar në Republikën Demokratike të Kongos, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë. Epidemia, e dyta më e madhe në botë, është përshkruar si përhapja më e shpejtë e regjistruar ndonjëherë.
Ekspertët besojnë se infeksionet kanë ekzistuar për muaj para se epidemia të shpallej më 15 maj dhe se numri real i rasteve mund të jetë dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare. Instituti i Shëndetit Publik i Republikës Demokratike të Kongos, në raportin e tij më të fundit, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 4,053, përfshirë 1,850 vdekje.
Rastet janë regjistruar në pesë provinca të vendit: Ituri, Kivu Verior, Kivu Jugor, Haute-Hole dhe Tsopo. Një raport i publikuar muajin e kaluar në revistën Science arriti në përfundimin se shpërthimi në Republikën Demokratike të Kongos ka nisur në janar, ose edhe më herët, në provincën Ituri.
Studiuesit identifikuan më shumë se 500 raste të dyshuara ndërmjet mesit të janarit dhe 15 majit, kur u shpall zyrtarisht epidemia. Sipas ekspertëve, zbulimi i vonuar i rasteve, mbikëqyrja e kufizuar, konflikti ushtarak, si dhe mungesa e vaksinave dhe trajtimeve për llojin e virusit të përfshirë në këtë shpërthim, kanë vështirësuar përpjekjet për ta vënë nën kontroll sëmundjen.
Deri më tani, vetëm epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014-2016 ka qenë më e madhe, me mbi 28,000 raste të regjistruara në Guine, Liberi dhe Sierra Leone. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
