Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive ka thënë se LVV-ja nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, ndonëse i ka votat, pasi sipas tij pa marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.
Kurti tha se kërkesa e tij është që liderët e partive parlamentare të takohen dhe të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
“Meqenëse çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për Presidentin e Republikës, pashmangshëm do të na shpinte tek zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme dhe gjithsesi të dëmshme”.
Ai tha se përpjekjet për arritjen e marrëveshjes duhet të vazhdojnë dhe se gjatë orëve të fundit ka zhvilluar takim, ka dërguar letra dhe mesazhe për takime me liderët e partive politike. “Nuk ka kuptim që të mos bëjmë marrëveshje. Nuk ka kuptim që të mos bashkëbisedojmë.
Në këto orët e fundit, ndërmjet fillimit të seancës për konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimit të kësaj seance, unë kam pasur takim, gjithashtu kam shkruar letra, kam shkruar letra që ftojnë për takim, kam shkruar letra që japin përgjigje për qëndrimet në mungesë të takimeve, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderët e partive politike, dhe unë nuk besoj që duhet t’i shpallim përpjekjet e dështuara apo të përfunduara.” Kurti, siç njofton Rtk tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit nuk është vetëm e LVV-së, ndërsa theksoi se presidenti duhet të jetë mbi partiak dhe një personalitet me karakter të dëshmuar.
“Presidenti duhet të jetë mbi partiak, jashtë polemikave ditore, jo në këtë skenën aktuale politike, por një personalitet me karakter të dëshmuar, me vlera e merita profesionale e kombëtare.” Ai u bëri përsëri thirrje krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për takim.
“Prandaj edhe një herë u bëj thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, kryetarit të Aleancës, Ardian Gjinit, që të bisedojmë duke u takuar, dhe duke u takuar të merremi vesh, të bëjmë marrëveshje politike për rrugën e përbashkët përpara, për hir të institucioneve të Republikës dhe popullit të Kosovës e të ardhmes së tij”.
