Barcelona është e vendosur të avancojë në transferimin e Rodrit nga Manchester City, me të gjitha palët e përfshira në negociata që tashmë kanë një qëndrim të qartë për të ardhmen e mesfushorit spanjoll. Klubi katalanas pritet të përmirësojë ofertën për Rodrin, pasi propozimi i parë prej 45 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse është refuzuar nga Manchester City.
Megjithatë, Barcelona nuk ka ndërmend të tërhiqet. Drejtuesit e klubit pritet të paraqesin së shpejti një ofertë të re, me synimin për të përshpejtuar negociatat dhe për të arritur marrëveshjen për transferimin e 30-vjeçarit. Nga ana e lojtarit, pozicioni është i qartë. Rodri dëshiron kalimin te Barcelona dhe i ka dhënë dritën jeshile projektit të klubit katalanas.
Ndërkohë, burime pranë negociatave bëjnë të ditur se edhe Manchester City pret që Rodri të largohet drejt Barcelonës gjatë kësaj vere, por kampioni anglez kërkon një shumë më të lartë për ta finalizuar marrëveshjen. Palët pritet të vazhdojnë negociatat në ditët në vijim, ndërsa Barcelona synon të bëjë hapin e radhës me një ofertë të përmirësuar.
Transferimi i Rodrit në Camp Nou tashmë po hyn në një fazë vendimtare.
