Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të shoqërohen me deklarata të ashpra politike, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se beson se konflikti me Iranin do të përfundojë së shpejti. “Mendoj se do të mbarojë së shpejti. Nuk mendoj se mund të rezistojnë më gjatë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Deklarata e tij ka nxitur reagimin e kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, i cili e akuzoi presidentin amerikan për “diplomaci teatrale” dhe për përdorimin e një strategjie të dështuar në raport me Teheranin. “Këto fjalë nuk janë gjë tjetër veçse diplomaci teatrale përsëritëse.
Përdorimi i ngacmimeve, premtimeve të pambajtura dhe lajmeve të rreme si levë për negociata është një strategji e dështuar”, shkroi Qalibaf në platformën X. Ai i bëri thirrje Trumpit që “të pranojë faktet dhe të përmbushë detyrimet e tij”, duke shtuar se Irani “nuk ka nevojë për më shumë dramë”.
Sipas raportimeve, prej javësh po negociohet një marrëveshje që synon rivendosjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe rifillimin e bisedimeve për programin bërthamor iranian. Ndërkohë, tensionet mbeten të larta edhe në rajon.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka njoftuar se 11 civilë janë plagosur nga një sulm i rebelëve Huthi në rajonin kufitar të Najranit, ndërsa Irani po shqyrton masa të reja ndaj anijeve amerikane dhe izraelite në Ngushticën e Hormuzit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
