Konsitituimi i Kuvendit i paraparë për t’u bërë më 6 gusht, është ndërprerë për shkak se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar bisedime shtesë me partitë për çështjen e presidentit.
Në fjalën e tij, Kryeministri trajtoi procesin e konstituimit të institucioneve, takimet me subjektet politike dhe nevojën për bashkëpunim në funksion të stabilitetit institucional dhe vazhdimit të proceseve demokratike, transmeton “Bota sot”. “Menjëherë pas certifikimit të rezultateve ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve.
E falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën për takimin, e falënderoj kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun për takimet. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK edhe me AAK, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë.
Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan, pasi në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot.
Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë” , tha Kryeministri Albin Kurti. Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtua që të vazhdojë edhe sot bisedimet, ndërsa PDK dhe AAK vazhdojnë me qëndrimin e tyre që të mbesin në opozitë.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, profesor, doktor, Sadri Ramabaja, thotë për “Bota sot”, LDK synon presidencën në mënyrë që në momente krizash ta shndërrojë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtëtëror. Sipas tij, kjo është qasje e rrezikshme dhe ajo ka një mundësi historike.
“LDK-ja synon Presidencën, duke pretenduar që, në momente krizash politike dhe kushtetuese, ta shndërrojë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtetëror. Një qasje e tillë rrezikon ta fusë Republikën në një cikël të ri krizash institucionale. Fryma e Kushtetutës kërkon një president konsensual, që gëzon besimin e gjerë politik dhe qytetar.
LDK-ja ka një mundësi historike që, duke propozuar dy ose tre figura me integritet, kredibilitet dhe përgatitje profesionale – qoftë nga bota akademike apo ajo diplomatike – të hapë rrugën për tejkalimin e kësaj krize politike” , shprehet Ramabaja. Sipas tij, nëse nuk propozon dy apo tre figura LDK-ja, atëherë zgjedhjet janë pothuajse të pashmangshme.
“Në të kundërt, mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt do të bëhej pothuajse e pashmangshme, me pasoja politike që mund të rezultojnë të kushtueshme sidomos për vetë LDK-në. Urtësia popullore e përmbledh këtë situatë me pak fjalë: “Zgjidh e merr ””, shprehet profesori. Pyetur si i sheh qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së për mos biseduar më Kurtin, Rambaja e konsideron opozitën si vulgare.
Sipas tij, ajo vazhdon të insistojë që t’ua imponojë qytetarëve edhe vullnetin e saj politik si gjoja rrugë të vetme për mbrojtjen e demokracisë liberale. “Vulgariteti i opozitës vs gjakimi për pushtet!
Tipari më karakteristik i opozitës në Kosovë sot është shpirti vulgar i saj; dhe meqë është e vetëdijshme për këtë vulgaritet të saj të rëndomtë, i shpërfaqur shqeto veçmas përmes bllokimit të institucioneve dhe imponimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ajo ka pafytyrësinë ta pohoj haptas të drejtën e vulgares së saj, po të shprehemi me gjuhën e J.O. Gasetit.
Me këtë veprim ajo, pra opozita, duke abuzuar me kushtetutën, vazhdon të insistojë t’jua imponojë qytetarëve edhe vullnetin e saj politik si gjoja rrugë të vetme për mbrojtjen e demokracisë liberale!” , thekson Rambaja. Në fund, ai shton se ky vulgaritet si akt politik bie ndesh me frymën e kushtetutës.
“Këtë shteg të madhë të frymës budiste, megjithatë, nuk lodhet së prezantuari si angazhim sipror të saj për të shmangur “lodhjen e masave nga politika”, prandaj arsyetojnë portparollët e saj, si specie të veçanta që janë, “ ne jemi të gatshëm për ndarjen e pushtetet”, pa çka se ky vulgaritet si akt politik bie ndesh me frymën e kushtetutës”, përfundon Ramabaja.