Përfaqësuesi i organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqi, ka deklaruar se Kosova nuk e ka më të njëjtën vëmendje në Washington që kishte në periudhën nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë, por ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati kryesor strategjik i vendit.
Në një intervistë në “Përballje Podcast”, Mulliqi tha se në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së ka pasur dhe do të ketë mospajtime, por se kjo nuk duhet ta vërë në pikëpyetje orientimin strategjik të Kosovës. “Relacioni Kosovë–Shtete të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka mospajtime të ndryshme dhe gjithmonë do të ketë.
Unë mendoj se aty ku punohet, aty ka edhe mospajtime”, deklaroi Mulliqi shkruan Telegrafi. Megjithatë, ai tha se Kosova duhet ta ketë të qartë rëndësinë që kanë Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e saj. “Ne duhet ta dimë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë kryesor strategjik, sistemi jetësor i Kosovës. Këtë e them me përgjegjësi të plotë”, tha Mulliqi.
Sipas tij, ky qëndrim duhet të jetë i njëjtë jo vetëm në komunikimin me Kongresin, Senatin dhe administratën amerikane, por edhe brenda Kosovës, Shqipërisë dhe hapësirës shqiptare. Mulliqi theksoi se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë mënyrën e bashkëpunimit me secilën administratë amerikane, pasi prioritetet dhe objektivat ndryshojnë nga një administratë në tjetrën.
“Duhet të punojmë dhe të gjejmë mënyrën se si të punohet me administratat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Secila administratë i ka objektivat, përpjekjet dhe arritjet që dëshiron t’i realizojë”, u shpreh ai. Ai shtoi se një qasje që ka funksionuar me një administratë të mëparshme nuk mund të merret automatikisht si model edhe për administratën, Kongresin apo Senatin aktual.
“Nuk do të thotë që një qasje e Kosovës që ka funksionuar katër vjet më parë është e njëjtë me këtë administratë, këtë Kongres apo këtë Senat. Çështjet gjeopolitike po ndryshojnë minutë pas minute, sekondë pas sekonde. Duhet ta dimë që Kosova nuk është më primare në Washington siç ka qenë nga viti 1999 deri në vitin 2008”, deklaroi Mulliqi.
Sipas tij, kjo situatë e bën edhe më të rëndësishëm angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe të diasporës shqiptare për ta mbajtur çështjen e Kosovës të pranishme në agjendën politike amerikane..
