Shpërndaje në: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e ka shpallur shtetasin serb dhe drejtorin e Telekom Serbia, Vladimir Luçiq, person të padëshirueshëm (non grata), duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, kalimin transit dhe qëndrimin në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të MPB-së të premten, të siguruar nga KOHA, Luçiqi është ndaluar për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat vlerësohet se përbëjnë kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ai, përmes deklaratave publike, ka promovuar dhe mbështetur politika e aktivitete që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.
Po ashtu, MPB-ja ka vlerësuar se Luçiqi ka propaganduar kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa “deklaratat e tij përbëjnë kërcënim për vendin duke nxitur gjuhë të urrejtjes dhe destabilizim”.
Këtë javë, mediat serbe raportuan se Luçiqi kishte njoftuar hapjen e gjashtë objekteve të reja të Telekom Serbia në Kosovë, si dhe investime të reja për përmirësimin e rrjetit të telefonisë fikse në zonat e banuara me serbë.
Ai kishte deklaruar se fillimisht do të ndërtohen dy objekte në Partesh, afër Gjilanit, të cilat do të shërbejnë si zyra dhe objekte telekomunikacioni, ndërsa një tjetër ishte planifikuar në Pasjan. Luçiqi vazhdimisht ka shprehur pretendime se Kosova është territor i Serbisë.
