Një gjykatë shtetërore e New Mexico e ka urdhëruar Meta-n të enjten, sipas kohës lokale amerikane, t’ia paguajë 567 milionë dollarë fondit për shëndetin mendor të adoleshentëve dhe të ndryshojë mënyrën sesi i funksionojnë platformat për përdoruesit e rinj pasi e shpalli fajtore kompaninë për dëmtimin e mirëqenies së fëmijëve, raporton Reuters .
Gjyqtari Bryan Biedscheid në Santa Fe ka nxjerrë verdiktin se kompania kishte shkaktuar shqetësim publik në New Mexico, duke mbështetur prokurorin e përgjithshëm, demokratin Raul Torrez.
Torrez e kishte akuzuar kompaninë e mediave sociale për dizajnimin e produkteve për të krijuar varësi të përdoruesve të rinj dhe për dështimin e mbrojtjes së fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në platformat e saj.
Vendimi merret pesë muaj pasi një trup gjykues e New Mexicos në një fazë të mëparshme të çështjes kish urdhëruar Meta-n të paguante 375 milionë dollarë, pasi zbuloi se kishte shkelur ligjin e mbrojtjes së konsumatorit, duke keqinterpretuar sigurinë e Facebookut dhe Instagramit për përdoruesit e rinj.
Çështja po ndiqej nga afër mes një vale në rritje të padive që akuzonin kompanitë e mediave sociale për dëmtimin e përdoruesve të rinj. Ndërsa shumë padi janë ngritur nga fëmijët dhe familjet për lëndime të dyshuara ndaj individëve, shtetet, komunat dhe distriktet shkollore kanë ngritur gjithashtu padi duke kërkuar ndryshime të gjera në industri.
Më shumë se 40 shtete dhe mbi 1.300 distrikte shkollore kanë ngritur padi për shqetësim publik kundër kompanive të mediave sociale, duke kërkuar dëmshpërblim, si dhe urdhra gjyqësorë që kërkojnë ndryshime në produkte dhe praktika.
Biedscheid ka urdhëruar enjten Metan të zbatojë masa sigurie për të rinjtë, duke përfshirë kufizime mujore për përdorimin e Facebookut dhe Instagramit nga adoleshentët, kufizime në njoftime, kontrolle më të rrepta mbi kontaktin e të rriturve me të miturit, mbrojtje për chatbotet e inteligjencës artificiale dhe shqyrtim të zgjeruar të raporteve të abuzimit seksual me fëmijët, sipas një dekreti që do të jetë në fuqi për pesë vjet.
Meta ka deklaruar se do ta apelojë vendimin dhe se ka punuar për të identifikuar dhe hequr përmbajtjen e dëmshme nga platformat e saj. “Ne mbetemi të sigurt në sferën tonë të mbrojtjes së adoleshentëve në internet dhe do të vazhdojmë të mbrohemi kundër pretendimeve që keqinterpretojnë faktet”, ka thënë Meta në deklaratë. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
