Nga zyrat politike dhe institucionet lokale, javën e ardhshme, pesë zyrtarë të Listës Serbe do të shkojnë drejtë bankës së të pandehurve. Të enjten, më 13 gusht, ata do të dalin para Prokurorisë Themelore në Mitrovicën e Veriut si të pandehur.
Igor Simiq, Ivan Zaporosaq, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomaseviq ndër vite kanë mbajtur funksione politike në vend, teksa tashmë po hetohen për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Ndonëse zyrtarisht, pos dërgimit të ftesave në cilësinë e të pandehurve, nuk jepen detaje të tjera, RTK mëson se procedurat penale ndërlidhen me operimin dhe lëshimin e dokumentacionit nga komunat paralele serbe, të cilat autoritetet e Kosovës i mbyllën përfundimisht gjatë aksioneve të Policisë.
Hetimet prekin edhe rezistencën e tyre të mëhershme për të dorëzuar zyrat e katër komunave veriore. Lista Serbe si subjekt kryesor politik i serbëve në Kosovë ndër vite ka pasur mbështetje të fuqishme nga Beogradi zyrtar. Andaj rasti nuk lidhet vetëm me statusin juridik të tyre, por edhe ndikimin që ky subjekt politik mund të ketë në zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në Kosovë.
Vëmendjen kryesore në këtë proces e merr Igor Simiq, i cili aktualisht mban pozitën e deputetit aktiv në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë këtij rasti edhe një peshë të lartë institucionale. “Fatkeqësisht në politikën kosovare, njerëzit që janë nën hetime ose aktakuza nuk japin dorëheqje së paku për arsye morale ose etike. Një gjë e tillë do të duhej të bëhej edhe nga ky deputet…
“, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD. Ky ballafaqim me drejtësinë vjen pas një historie të gjatë përplasjesh. Me vite të tëra, sidomos gjatë tensioneve në veri të vendit, veprimet e Listës Serbe kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Njohësit e sigurisë vlerësojnë se ky subjekt vazhdon të operojë jashtë kornizave kushtetuese të vendit, duke marrë direktiva nga Beogradi zyrtar dhe në vazhdimësi me qasje destruktive. “Serbia është 100% e fokusuar në Listën Serbe si patericë direkte. Duhej të ishte krejt e kundërta sepse janë shtetas të republikës dhe deputetë dhe duhej ti përfaqësonin interesat e Kosovës.
Ata nuk i plotësojnë interesat e Kosovës dhe qasja e tyre në vitin 2026 është ende destruktive”, t ha Arben Dashevci, njohës i sigurisë. Në periudha të ndryshme kohore, qëndrimet e Listës Serbe kanë ndikuar në zhvillimet politike në vend, sidomos në bojkotimin e institucioneve vendore.
Përtej deklaratave politike, ky proces cilësohet si një test i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në shtrirjen e plotë të ligjshmërisë.
