Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të një gjykate federale apeli në Uashington, e cila e ndaloi administratën e tij të vijojë ndërtimin e një salle të madhe vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë.
Trump e cilësoi vendimin si “politik” dhe deklaroi, përmes një postimi në platformën e tij sociale, se do të paraqesë menjëherë apel në Gjykatën Supreme. “Ky vendim i padrejtë duhet të rrëzohet nga Gjykata Supreme në tërësi.
Agjencitë ushtarake dhe të inteligjencës e konsiderojnë vendimin e gjykatës federale të apelit të tmerrshëm, të motivuar politikisht dhe të paligjshë m”, shkroi Trump në Truth Social. Më herët, Gjykata e Apelit vendosi se administrata Trump po vijonte në mënyrë të paligjshme me ndërtimin e sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë.
Vendimi u mor me shumicë votash 2-1 dhe mbështeti qëndrimin e Fondit Kombëtar për Ruajtjen Historike, organizata më e madhe e ruajtjes së trashëgimisë historike në SHBA, e cila kishte kundërshtuar projektin. Në vendimin e saj, gjykata theksoi se çdo president amerikan është një “banor i përkohshëm, jo pronar” i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale.
“Çdo president është një banor i përkohshëm, jo pronar, i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale. Presidenti nuk ka dhe as nuk pretendon të ketë autoritet të caktuar kushtetues mbi këtë pronë, e cila është projektuar dhe mirëmbajtur për përdorimin e të gjithë presidentëve, të kaluar dhe të ardhshëm, si dhe për popullin amerikan ”, thuhet në vendimin e gjykatës, sipas CNN.
Sipas vendimit, Fondi Kombëtar për Ruajtjen Historike paraqiti prova se Kongresi nuk i ka dhënë degës ekzekutive autoritet të pakufizuar për të “riprojektuar, rimodeluar dhe rindërtuar në mënyrë drastike Shtëpinë e Bardhë – Shtëpinë e Popullit – për t’iu përshtatur dëshirave të një presidenti të caktuar”. Vendimi i gjykatës nuk hyn menjëherë në fuqi.
Gjykata e Apelit vendosi ta pezullojë zbatimin e tij për dy javë, duke i dhënë administratës Trump kohë për të paraqitur apel në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
