Një 17-vjeçar ka përfunduar në ndalim, pasi dyshohet se ka penguar dhe kanosur zyrtarët policorë gjatë një aksioni në qendër të Suharekës.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit, rreth orës , në Sheshin “Besim Ndreca”, ku njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) dhe hetuesit e Stacionit Policor në Suharekë po zhvillonin kontrolle në kuadër të planit operativ “Vera 2026”.
Sipas burimeve, derisa zyrtarët policorë po legjitimonin disa persona, i dyshuari L.G. 17 vjeçar është afruar dhe ka filluar t’i pengojë, duke u thënë: “Kush jeni ju, çka bani këtu?” Edhe pasi njëri nga policët i kishte sqaruar se bëhej fjalë për zyrtarë policorë dhe i kishte kërkuar të mos pengonte kryerjen e detyrës, i mituri dyshohet se ka vazhduar me sjelljen e tij, duke detyruar Policinë ta arrestojë.
Sipas burimeve, edhe pas arrestimit ai ka kanosur njërin nga zyrtarët policorë me fjalët: “Shihemi nesër, kam me u marrë privatisht me ty.” Për rastin është njoftuar Prokurori për të Mitur, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 24 orë në Qendrën e Ndalimit në Suharekë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Njësia Rajonale e Hetimeve e DRP Prizren. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
