Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku në rend dite ishte paraparë shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Në mbledhjen që u parapa të mbahet sot, munguan katër anëtarë të këshillit, porse asnjëri nuk kishte paraqitur kërkesën për pushim. Kryesuesi i KGJK-së Rrustem Thaqi pati kritika për mungesën e tyre, raporton KosovaPress. Ai tha se në email-at e tyre ishte theksuar se KGJK ndodhet në pushim kolektiv, vendim për të cilin Thaqi tha se nuk ka.
“Përmes email kam pranuar pesë njoftime nga pesë anëtarë të këshillit, përmes të cilës më kanë informuar se katër prej tyre nuk do të marrin pjesë në këtë takim.. Në njoftimet e tyre përveç të tjerash është theksuar se caktimi i mbledhjes nuk është në përputhje me vendimin e KGJK-së.
Po ashtu në këto njoftime është theksuar se këshilli ndodhet në pushim kolektiv dhe se nuk janë paraqitur rrethanat që ta shikojnë thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshëm. Gjithashtu kanë shtuar se përcaktimi i takimit është e nevojshme të ketë edhe koordinim përmes anëtarëve.. Nuk ka asnjë vendim të kësh9illit për pushim kolektiv”, tha ai.
Si pasojë e bojkotimit, KGJK ndodhet në vonesa në mbushjen e përgjegjësive të tij. Një sjellje të tillë kryesuesi Thaqi nuk e lejon dhe si pasojë takimi dështoi të mbahet. “Si pasojë e kësaj situate këshilli ndodhet në vonesa në mbushjen e përgjegjësive të tij, përfshirë edhe përfundimin e procedurave disiplinore, themelimin e paneleve hetimore sipas kërkesave disiplinore..
As një nga anëtarët nuk kanë paraqitur kërkesë për pushim. Nuk mund të lejohet sjella e tillë. Si pasoj e mungesës se kuorumit ky takim nuk mund të mbahet”, tha ai.
Kjo pikë kishte shkaktuar përplasje edhe në mbledhjen e fundit të KGJK-së, e cila ishte ndërprerë pas debatit mes anëtarëve lidhur me shqyrtimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb në veri të vendit.
