Arbitrat shqiptarë vijojnë të konfirmojnë vlerësimin e UEFA-s me emërime të rëndësishme në kompeticionet europiane. Arbitri ndërkombëtar Enea Jorgji është caktuar nga UEFA për të drejtuar ndeshjen e raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League mes Debreceni VSC (Hungari) dhe FC Copenhagen (Danimarkë), e cila do të zhvillohet më 6 gusht, duke nisur nga ora , në Debrecen.
Copenhagen ka shkaktuar mjaft befasi në kompeticionet europiane, teksa ka mposhtur dy herë Manchester United në Champions League, sikurse ka ndalur Bayern Munich dhe Real Madrid. Jorgji do të ketë në ndihmë një trupë tërësisht shqiptare arbitrash. Denis Rexha dhe Xhulio Mani do të jenë arbitra asistentë, ndërsa Olsid Ferataj do të kryejë detyrën e arbitrit të katërt.
Në sistemin VAR do të jetë italiani Daniele Doveri, i asistuar nga arbitri shqiptar Albert Doda në rolin e AVAR. Ky emërim përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm për arbitrimin shqiptar dhe dëshmon besimin e vazhdueshëm që UEFA u jep arbitrave tanë për drejtimin e ndeshjeve në kompeticionet më prestigjioze europiane.
Angazhimi i vazhdueshëm i arbitrave shqiptarë në ndeshjet ndërkombëtare është rezultat i punës, përgatitjes profesionale dhe zhvillimit të vazhdueshëm të arbitrimit në vend, ndërsa njëkohësisht rrit edhe më tej përfaqësimin e futbollit shqiptar në arenën europiane.
