Vera brutale ka vënë në pah sesa shumë Britania, Franca, Spanja dhe vendet e tjera europiane janë nën presion nga forca kryesisht jashtë kontrollit të tyre, shkruan Michael D.
Shear, korrespondenti kryesor i gazetës “The New York Times” në Mbretërinë e Bashkuar, por që shpesh shkruan për sfidat me të cilat përballen vendet europiane derisa po shtrëngohen të mbështeten më pak në përkrahjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ditëve e fundit, Europa edhe një herë duket se po vëzhgon prej anash, derisa fati po i formësohet nga forcat e jashtme.
A do të ndante mendjen presidenti Trump të riniste një luftë masive me Iranin dhe ta rrisë koston e naftës? A do të shkaktonte ngrohja globale zjarre më masive dhe më të egra, edhe pse disa prej tyre tashmë kanë shpërthyer në krejt kontinentin?
A do t’i ndante pikë e pesë liderët e bllokut rritja e papritur dhe e pashpjegueshme e kalimit të njerëzve përtej kufirit maroken në një enklavë spanjolle – pothuajse të gjithë u kthyen menjëherë – dhe a do t’i jepte zemër kjo të djathtën ekstreme?
Europa tashmë po vuan një verë brutale: dy luftëra, nxehtësi rekorde, inflacion në rritje dhe ankth i thellë për ushqimin, energjinë e sigurinë. Krizat e njëpasnjëshme po nxisin thirrje për veprim të përbashkët, takime urgjente në “Zoom” midis grupeve të ndryshme të presidentëve dhe kryeministrave, dhe debate politike parlamentare nga Polonia në Mbretërinë e Bashkuar.
Por, ashtu si shumë gjëra të tjera që kanë ndodhur viteve të fundit, shumë nga sfidat Europa nuk i ka në duart të veta për t’i kontrolluar. “..shqetësuese për Europën” Lufta e Iranit – një konflikt që shumica e Europës nuk e deshi kurrë – ka trazuar jetën në krejt rajonin, duke rritur çmimin e gazit, ushqimeve dhe udhëtimeve.
Liderët e kontinentit janë zotuar të ndihmojnë në sigurimin e kalimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit sapo të mbarojnë luftimet. E megjithatë, ata duket se janë të destinuar të dëgjojnë për fazën tjetër të luftës nga rrjetet sociale të presidentit Trump. Europa nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhë luftën në Ukrainë pas më shumë se katër vitesh gjakderdhje.
Arritjet e saj në uljen e emetimeve për të luftuar ndryshimet klimatike janë lënë në hije nga veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. E ardhmja e Inteligjencës Artificiale po formësohet kryesisht gjetiu. Populizmi i krahut të djathtë është rritur, i nxitur nga migrimi, pabarazia dhe dezinformimi.
“Pavarësisht sesi e shikoni, sesi e matni, kjo është kohë e vështirë dhe shqetësuese për Europën”, ka thënë Richard Haass, i cili shërbeu për dy dekada si president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai ka theksuar se Europa është pjesërisht viktimë e rrethanave, por është gjithashtu përgjegjëse për mungesën e autoritetit mbi fatin e vet.
“Nuk është vetëm se ata kanë shpenzuar pak, por ata janë të paorganizuar kur bëhet fjalë për sigurinë e tyre”, ka shtuarai. “Në thelb është një vëzhgues, me pak përjashtime, i konkurrencës së inteligjencës artificiale. Kjo nuk është diçka që iu bë Europës nga Shtetet e Bashkuara ose Kina. Kjo ishte diçka që Europa ia bëri vetes”. Në shumë fronte, Europa ka vepruar.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se katër vjet më parë, Europa dhe Britania menjëherë ndërmorën hapa për ta mbështetur Ukrainën, duke përfshirë dërgimin e miliarda dollarëve ndihmë, sanksionimin e Rusisë dhe mirëpritjen e miliona refugjatëve ukrainas në vendet e tyre përmes programeve speciale.
Pasi presidenti Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë më 2025 dhe sinjalizoi qëndrim më të ngrohtë ndaj presidentit Vladimir V. Putin, Britania, Franca, Gjermania dhe vende të tjera europiane formuan “Koalicionin e të Gatshmëve” për t’i mbrojtur interesat e Ukrainës në çdo marrëveshje paqeje dhe punuan pas dyerve të mbyllura për t’i pajtuar presidentët ukrainas dhe amerikanë.
Këto përpjekje ndihmuan në parandalimin e presidentit Putin nga arritja e një marrëveshjeje me presidentin Trump në kurriz të Ukrainës. Por, ndërsa koalicioni ka deklaruar vazhdimisht se “asnjë marrëveshje lidhur me interesat dhe sigurinë europiane nuk mund të negociohet pa europianët”, kjo ka rezultuar e vështirë për t’u zbatuar.
Herë pas here, presidenti Trump i ka lënë mënjanë aleatët e Amerikës në favor të bisedimeve të drejtpërdrejta – dhe kryesisht të pafrytshme – me Rusinë ose Ukrainën.
“Për vite me radhë, udhëheqësit europianë kanë folur për autonominë strategjike dhe shfaqjen e Europës si një aktor serioz sigurie”, ka shkruar për Këshillin Atlantik, Lesia Ogryzko, drejtoresha e Qendrës së Sigurisë Sahaidachnyi në Kiev. “Muajt e ardhshëm mund të ofrojnë provën më të qartë deri më tani nëse këto ambicie janë realiste”.
Raportet Europë-SHBA Ata kanë pasur më pak ndikim në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, edhe pse efektet e saj ndihen ndjeshëm në të gjithë kontinentin. Kundërshtimi i zëshëm i Europës ndaj vendimit të presidentit Trump për të nisur luftën e zemëroi liderin amerikan dhe i acaroi marrëdhëniet transatlantike.
Britania dhe Franca, në prill pjesërisht si përpjekje për t’i riparuar marrëdhëniet me presidentin Trump, folën për përpjekjen për ta organizuar një operacion ushtarak që mund të ndihmonte mbrojtjen e qarkullimit të lirë dhe të hapur përmes Ngushticës së Hormuzit, sapo të arrihej një marrëveshje për armëpushim të qëndrueshëm.
Por luftimet e vazhdueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e kanë bërë shumë të rrezikshëm fillimin e operacionit. Diplomatët nga disa vende europiane kanë theksuar se mundësia që të dërgojnë anije ushtarake për të ndihmuar heqjen e minave nga ngushtica, ose t’i shoqërojnë tankerët është në thelb në pritje derisa të bëhet e qartë nëse lufta vërtet po pauzohet.
Presidenti Trump ka kërcënuar ditëve të fundit se do të përshkallëzojë dramatikisht sulmet ndaj Iranit nëse regjimi nuk pranon ta hapë ngushticën. Presidenti i ka deklaruar të martën “Fox Newsit” se Irani “do të goditet shumë rëndë” nëse rruga ujore vendimtare nuk hapet shumë shpejt.
Lufta me zjarret Edhe pse kriza e Iranit ka vazhduar, zjarret kanë shpërthyer në mbarë Europën, ku shtresa të kuqe të ndezura në hartat e motit tregojnë valë të papara të nxehtësisë që janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, vendet europiane kanë qenë kryesisht me një mendje për rreziqet që paraqesin ndryshimet klimatike dhe kanë vepruar për uljen e emetimeve dhe për të investuar në energjinë e rinovueshme.
Por që nga kthimi i presidentit Trump në Shtetet e Bashkuara, kanë qenë në kundërshtim me një nga ndotësit më të mëdhenj në botë, duke i vështirësuar përpjekjet për përballje me klimën në ndryshim. Tani, është e qartë se vendet në rajon po përballen me pasojat e ngrohjes globale, me temperaturat mesatare që rriten më shpejt se në çdo kontinent tjetër.
Britanikët po jetojnë korrikun më të thatë qe gati dy shekuj. Zjarret kanë zhvendosur më shumë se 300 mijë persona në Francë dhe Spanjë. Në Greqi, zjarrfikësit vdiqën duke i luftuar flakët që ende nuk janë nën kontroll të plotë.
Sfida e Ceutas Vrulli i dhjetëra mijëra njerëzve javën e kaluar në Ceuta, territor i vogël spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut, ngriti mundësinë e një krize të re që po vë në provë unitetin europian në një nga çështjet më të fuqishme politike të rajonit.
Pedro Sanchezit, kryeministri majtist i Spanjës, i ka dalë nami për qasjen mikpritëse ndaj disa emigrantëve, veçanërisht punëtorëve nga Amerika Latine. Por ka mbajtur qasje më të ashpër me njerëzit që përpiqen të kalojnë ilegalisht kufijtë e Spanjës me Marokun. Ai u kundërpërgjigj shpejt me ushtrinë spanjolle ndaj mbërritjeve në Ceuta dhe shumica u kthyen mbrapsht gjatë fundjavës.
Një barrierë lundruese po ngrihet pranë një muri detar midis dy vendeve. Incidenti ekspozoi tensionet brenda Bashkimit Europian që janë thelluar viteve të fundit, pasi partitë e ekstremit të djathtë, përfshirë Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe Tubimin Kombëtar (RN) të Francës, kanë shfrytëzuar frikën nga emigrantët si shteg për t’i aktivizuar mbështetësit politikë.
Shumë shtete anëtare të BE-së qortuan fort Spanjën në orët pas mbërritjes së migrantëve në Ceuta, me disa vende që bënë thirrje për pezullimin e vendit nga zona e lëvizjes së lirë të bllokut. Kryeministri Sanchez u përgjigj duke i quajtur këto shtete “egoiste”.
Disa analistë spikatën se mungesa e solidaritetit me Spanjën në kohën kur po përballej me një kërcënim të jashtëm ishte tregues i vështirësisë që kontinenti ka në projektimin e autoritetit në skenën globale. Haass, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, mendon se mungesa e unitetit vë në pah problemin themelor për Europën, ndërsa rreket të formësojë të ardhmen e saj.
“Tërësia”, ka thënë ai, “është shumë më e vogël se shuma e pjesëve të saj”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
