Drita rikthehet sonte në arenën evropiane me synimin për të vazhduar ëndrrën e saj në Conference League. Kampionët e Kosovës do të përballen me skuadrën nga San Marino, Tre Fiori, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues, duke synuar të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off”. Takimi zhvillohet në stadiumin “San Marino” në Serravalle, me fillim nga ora .
Kjo sfidë vjen në një moment të rëndësishëm për klubin gjilanas, i cili vetëm pak ditë më parë i dha fund bashkëpunimit me trajnerin Zekirija Ramadani, pas më shumë se dy vjetësh e gjysmë suksesesh të përbashkëta. Ndërkohë, drejtimin e skuadrës e ka marrë Visar Shemxhaj, i cili do ta udhëheqë ekipin në këtë përballje të rëndësishme evropiane.
Për Shemxhajn, ndeshja ndaj Tre Fiorit shënon debutimin në stolin e kampionëve të Kosovës, me synimin për ta vazhduar rrugëtimin e suksesshëm të klubit në garat ndërkombëtare. Nga kampi bardhekaltër është bërë e ditur se ekipi do të zbresë në fushë me krenari, përqendrim dhe besim, duke synuar një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit.
