Historia e Italisë na ka mësuar një të vërtetë të hidhur; nuk mund të ndërtohet kompromis me logjikën e mafias. As me Al Caponen, Lucky Luciano as me Salvatore Riinën, nuk mund të kishte marrëveshje në emër të shtetit ligjor. Jo pse ata ishin njerëz të fuqishëm, por sepse përfaqësonin një botëkuptim ku ligji zëvendësohet nga interesi, morali nga fitimi i shpejtë, shteti dhe nga klani.
Ky mentalitet mafioz nuk kufizohet sall te armët. Ky mentalitet i ‘kaubojit’ lind nga bindja se pasuria duhet fituar shpejt e shpejt, me çdo kusht dhe me çdo mjet; pra sipas këtij botëkuptimi duhet me ja siguru pasurinë djalit, nipit, stërnipit, dashnores, dashnorit…
E dimë se në Itali, kjo logjikë e «të fortit» depërtoi në ndërtimtari, barnatore, pra farmaceutikë, tregtinë e naftës, duhanit, kafesë dhe në shumë sektorë të tjerë të publikes. E pra, kur fitimi dhe luksi me çdo mjet bëhet ideologji dhe qëllim, ligji dhe Gjykata e pavarur për këtë mentalitet shihet si pengesë, e jo si vlerë.
Të nderuar lexues, Pikërisht këtë mentalitet mafioz e shoh sot, në mënyrë metaforike, te një pjesë e madhe e opozitës. Për më shumë se 30 vjet, politika, media (gazetaria) dhe biznesi janë ndërthurur aq fort mes veti, sa para hundës tonë janë krijuar kasta të paprekshme; bossa të kafesë, barnatoreve, ndërtimeve, naftës, terminaleve doganore, gurthyesve dhe «blerës» të tokave publike me çmime qesharake.
E ky marifet sicilian nuk është më garë idesh për marrëveshje politike në të mirë të popullit; është garë për kontroll ekonomik, mediatik dhe politik (kupto copëtimin e Kosovës, asociacione një-etnike për serbët që janë vetëm 4% në Kosovë, Ballkan të hapur, eksteritorialitet për kishat «serbe», dhe së fundi edhe konsullata serbe midis Shkodre!.
Të dashur lexues, Prandaj, mentaliteti antimafia, në këtë rast, Albin Kurti e ka pothuajse të pamundur të arrijë marrëveshje me mentalitetin «Cosa Nostra».
Unë mund të argumentoj se ky mentalitet nuk është çështje karakteresh apo egoje; Është përplasje mes dy filozofive: njëra e sheh Kosovën si pronë publike, tjetra si pronë private dhe plaçkë për t’u ndarë mes kushërinjëve dhe bashkëanëtarëve. Paçka kur këto dy botëra përballen, kompromisi është i pamundur. Apo jo, të nderuar lexues?!
Konsekuent deri në pikë të fundit; Problemi më i madh sot nuk është një njeri apo një parti. Problemi është kultura jonë politike (e ushqyer për 30 vjet përmes arsimimit të dobët, medias së korruptuar, Qeverive klienteliste dhe retorikës dominuese – me tekst, fotografi e film- për pasuri, luks, shfalerka, kurvëri e tradhëti); kulturë politike që e konsideron pushtetin si rrugën më të shkurtër drejt pasurimit dhe ndikimit gjithandej, fillo prej familjes, mahallës, katundit, sokaqeve, medias e deri në grabitjen e pasurisë nëntoksore e mbitokësore të Kosovës së shkretë e t’lame n’gjak prej 1878 e deri sot.
E pikërisht kjo është logjika që Italia e ka paguar me gjakun e gjyqtarëve, gazetarëve, policëve dhe qytetarëve të pafajshëm. Nëse Kosova jonë, pa dallim gjinie, feje, etnie a kulture, dëshiron të ecë përpara, duhet ta refuzojë kulturën CosaNostra, pavarësisht se kush e përfaqëson atë. Prandaj, bëhuni gati për “grushtin” e fundit; jo me dhunë, por me votë.
Me pjesëmarrje masive në zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Sepse në demokraci, arma më e fortë kundër çdo mentaliteti që e sheh shtetin si pronë e si plaçkë private është vota e qytetarit të lirë.
Hajde çonju shqiptarë, çonju edhe kësaj here, pash tokë e qiell, mos tjetër për hatër të shqiptarëve civil, të shkrirë në gelqeren serbe, atje gjithandej në Veriun e Kosovës, e në jugun e Europës; në Serbinë e Garashaninit, Ivo Andriqit, Vaso Çubrilloviqit, Millosheviqit e, mikut të Edi Ramës, Vuqiçit.
