Një nga simbolet më domethënëse është treni. Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur me kujtime, dhe asaj që i pret në vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë.
Brenda vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe historia e një populli, i detyruar me dhunë të largohet nga trojet e veta.
Ngjarje dhe dëshmi të shumta në histori shënohen me data, por ka shumë prej tyre që mbeten të skalitura thellë në kujtesën e kombit tonë, përmes rrëfimeve autentike të dëshmitarëve që përjetuan ferrin e tmerrin, në zemër të Evropës, para syve të botës së qytetëruar!
Eksodi i Bllacës është njëra prej atyre ngjarjeve të hidhura ku luftohej mes jetës dhe vdekjes, është Ferri i Dantes së fundshekullit XX. Ai nuk përfaqëson vetëm një moment të luftës në Kosovë, por një përvojë të përbashkët njerëzore, ku frika, pasiguria dhe shpresa ecën krah për krah.
Pikërisht për këtë arsye, rrëfimet e të dëbuarve kanë një peshë të veçantë: ato nuk flasin vetëm për atë që ndodhi, janë përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga vatrat e tyre, nga Kosova që digjej flakë. Në librin “Bllaca ‘99”, dëshmitë e të dëbuarve ndërtojnë një mozaik kujtimesh që i sjellin lexuesit realitetin e asaj kohe të rëndë, që kurrë mos u përsëritë më!.
Çdo rrëfim bart një përvojë të veçantë, por së bashku ato krijojnë një kujtesë të përbashkët që tejkalon fatin individual dhe bëhet pjesë e historisë së një populli. Përmes këtyre rrëfimeve, kuptohet se lufta nuk matet vetëm me zhvillimet ushtarake apo politike, por edhe me plagët që lë në jetën e njerëzve.
Ky punim i qaset librit duke e parë atë si një hapësirë në të cilën kujtesa personale ‘shkruan’ një kapitull historie dhimbje e krenarie, mbijetese e sakrifice! Librit i paraprinë fjala hyrëse e intelektualit Jahja Lluka kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë.
Në libër janë dhënë 32 rrëfime të të dëbuarve, të cilat ndërtojnë një dëshmi të besueshme për eksodin e vitit 1999, duke nxjerrë në pah vlerën e tyre historike, njerëzore dhe dokumentare.
Në këtë mënyrë, libri nuk lexohet vetëm si një përmbledhje dëshmish, por si një kujtesë e shkruar dhe e përjetuar e cila ruan përvojën e atyre që u detyruan ta linin vendin e tyre, për tu rikthyer në Kosovën e lirë. Dr. Qerim Lika në recesionin e tij vlerëson rëndësinë e botimit të këtij vëllimi, si dhe shpalos disa nga mbresat e tij për rrëfimet e publikuara.
Sipas Likës, “…vepra në fjalë duhet të jetë në funksion të dijes dhe e njëjta të përdoret si doracak në studimet e mëtejshme kërkimore – shkencore nga ana e studiuesve shqiptar dhe jo vetëm” [1] . Për prof. dr.
Parim Kosova, rrëfimet e të mbijetuarve, janë “tmerret në kampin e përqendrimit Bllaca e përjetësuar tani me muzeun “Bllaca ‘99”, që sipas tij “Vepra e Jahja Llukës, edhe përmes rrëfimeve të atyre që ishin në Kampin e Përqendrimit – Bllaca ’99, ofron dëshmi të sakta, të drejta dhe reale” [2] Sabit Jaha, publicist në vështrimin e tij hedhë dritë mbi veprën “Bllaca ’99…” duke vë theksin te kontributi i jashtëzakonshëm i Jahja Llukës, “Jahja Lluka hartues e mbarshtrues i kësaj vepre monumentale “ Bllaca ’99…” falë përkushtimit të pashembullt, gjatë këtyre 25 vjetëve (19999- 2024), më shumë se kushdo tjetër iu qas me devotshmëri publikimit të përjetimeve të të dëbuarve shqiptarë, të cilët në Bllacë me ditë e netë të plota ( që nga maji 1999)kush më pak e kush më shumë përjetuan çaste të dhimbshme, tragjike të DRAMËS KOSOVARE, ku shqiptarët ishin vetëm trupa(figura) statikë – duarthatë, të uritur e të etshëm, kurse rolet i luanin kriminelët, milicët, ushtarakët dhe efektivët e aparatit shtetëror serbo –sllav.” [3] Sipas prof.
Nebi Dervishit, “Ky është libër i veçantë, sepse e ka kuptimin e momentit që i është ngritur vuajtjeve, poshtërimit, ëndrrave dhe shpresave të një populli, klithmave e lotëve të shumtë të tij dhe ndonjë buzëqeshje të rrallë….” [4] Rrëfimet – monument i gjallë kujtese Në rrëfimin e saj, gazetarja Ilire Zajmi, paralajmëron se ‘gjahu i shtrigave’ kishte filluar, ndërsa rrëfen për Masakrën e Reçakut dhe masakrën në Rogovë, për të vazhduar me rrëfimin e saj për eksodin në Bllacë.
Rrëfimet e familjes Kurtaj, janë një gërshetim rrëfimesh që skalisin dhimbjen, sakrificën dhe qëndresën ndër breza të një familje e cila përjetoi padrejtësi, dhunë e burgosje vrasje e tortura, kohë ku shumë fëmijë mbeten pa prindër.
Sahadete Jaha, njëra ndër dëshmitaret e dëbimit me dhunë nga kryeqyteti – Prishtina, rrëfen katrahurat e dëbimit deri Bllacë e pastaj në Shqipëri- Korçë ku Sadetja tregon për mikpritjen e mrekullueshme të korçarëve.
“Për ne, që patëm fatin ogurbardhë që të mirëpriteshim në KORÇËN FAMËMADHE – vatër e civilizimit kulturor – arsimor – kombëtar, ne si sa e sa familje të tjera të dëbuarish kosovarë, vëllezërit e motrat e Juaja që atëherë (1999) e sot dhe përjetë, do t’u jemi mirënjohës DENBABADEN, siç thoshte dikur famëmadhi po(g)radecari Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko)në poemën e tij shumëdomethënëse “POEM KOSOVAR”: Ne (së bashku ishim, jemi dhe do të jemi NJË, ngase jemi si MISHI e ASHTI, të pandarë, meqë kemi NJË GJAK, NJË GJUHË, NJË SHQIPËRI ETNIKE as të VOGËL dhe as të MADHE, por NATYRALE, ku flitet e shkruhet SHQIP, ku Bukës, Ujit, Dheut, i thuhet: BUKË, UJË, DHE (fjalë këto që na i mësuan: BABAI (ATI), NANA (MËMA), ta duam AT(MËMË)DHEUN PËR JETË TË JETËVE!” [5] .
Pjesë mbresëlënëse e këtij libri janë edhe rrëfimet e Dijana Bajramit, Ejup Maxheres, Ali Gashit, Xhevat Emërllahut, Filippo Landit, Zejnel Hajrizit, etj. “Kalimi nëpër rrathë të ferrit” i Nergize Demollit, është një rrëfim që shndërron kujtesën individuale në një pasqyrë të historisë kolektive.
Përmes një rrëfimi të qetë, por mjaft emocional, zonja Nergize tregon përvojën e dëbimit me dhunë jo vetëm si një ngjarje historike, por si një provë të thellë të shpirtit njerëzor. Kjo pjesë nuk ndërtohet mbi heroizmin tradicional; heroizmi lind në heshtje, në durimin e njerëzve, në mbrojtjen e fëmijëve dhe në besimin se edhe nata më e errët një ditë do t’i hapë rrugë ditës.
Në planin tematik, teksti trajton humbjen e shtëpisë, pasigurinë dhe ndarjen nga vendlindja, por mbi të gjitha trajton qëndrueshmërinë e njeriut. Personazhet (të cilët të gjithë janë reale) nuk përballen vetëm me rrezikun fizik; ata luftojnë për të ruajtur kujtesën, dinjitetin dhe identitetin e tyre.
Çdo hap i tyre është një përpjekje për të mbrojtur jetën dhe për të mos lejuar që frika t’ua pushtojë shpirtin. Titulli i tregimit “Kalimi nëpër rrathë të tmerrit” ka një domethënie të fuqishme simbolike. “Ferri” nuk është një vend mitologjik, por realiteti i krijuar nga lufta, ku çdo etapë e rrugëtimit sjell një sprovë të re.
Megjithatë, ndryshe nga ferri i përjetshëm, ky udhëtim lë hapësirë për shpresë. Çdo ndihmë e vogël, çdo dorë e zgjatur dhe çdo fjalë ngushëlluese bëhen dëshmi se humanizmi mund t’i mbijetojë edhe dhunës më të egër. Një nga simbolet më domethënëse është treni.
Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur me kujtime, dhe asaj që i pret në vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë. Brenda vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe historia e një populli, i detyruar me dhunë të largohet nga trojet e veta.
Po aq domethënëse është edhe lindja e foshjes gjatë rrugës. Në mes të frikës dhe kaosit, ardhja në jetë e një fëmije fiton vlerën e një metafore universale: jeta nuk dorëzohet përballë vdekjes. Ajo dëshmon se natyra njerëzore ka forcën të rilindë edhe në rrethanat më të pamëshirshme.
Ky episod e pasurin tekstin me një dritë shprese, duke krijuar një kontrast të fuqishëm me errësirën e luftës. Nga ana stilistike, rrëfimi karakterizohet nga një gjuhë e thjeshtë, por jashtëzakonisht shprehëse. Nuk mbështetet te retorika e tepruar; emocionet lindin nga natyrshmëria e rrëfimit dhe nga fuqia e detajeve.
Heshtja, lotët e përmbajtur dhe shikimet e fundit krijojnë një atmosferë që prek lexuesin më shumë se sa përshkrimet dramatike. Kjo e bën tekstin autentik dhe bindës. Në aspektin psikologjik, personazhet shfaqin një forcë hyjnore dhe mjaft admiruese. Ata përjetojnë frikë, ankth dhe pasiguri, por nuk humbin aftësinë për të ndihmuar njëri – tjetrin.
Pikërisht solidariteti bëhet forma më e lartë e rezistencës. Në një kohë kur lufta përpiqet të shkatërroj gjithçka, aktet e vogla të mirësisë ruajnë thelbin e njerëzores. Në rrëfimin e zonjës Nergize, momenti kur intelektuali e shkrimtari i njohur Arif Demolli i bashkëngjitet familjes së tij në kamp , është moment sa emocionues po aq edhe dramatik.
Për Arifin ishte raportuar në medie se është vrarë nga forcat serbe bashkë me shumë intelektualë të tjerë në Prishtinë. Familjarët nuk u besonin syve të përlotur për humbjen e njeriut të dashur i cili erdhi i gjallë(Arif Demolli) dhe iu bashkua familjes!
Gjithashtu, Nergizja rrëfen edhe për kthimin e tyre në Prishtinë dhe angazhimin e Arif Demollit në përgatitjen e revistës “Pionieri” duke e shndërruar dhomën e banimit në zyre pune, si dhe edhe punën për ndryshimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit në të cilën ishte i angazhuar Arifi, punë të cilën e kryente në zyrën e improvizuar të shtëpisë.
Zonja Nergize, është falënderuese ndaj ministrit të arsimit Rexhep Osmani i cili kishte angazhuar Arif Demollin si zyrtar të lartë në Ministri të Arsimit dhe ofrimin e një zyre pune, por edhe vizitat e tij në shtëpi derisa Arifi kryente punë nga shtëpia.
Rrëfimi i Nergize Demollit, “Kalimi nëpër rrathë të ferrit” është më shumë se një rrëfim për luftën; është një meditim mbi forcën e shpirtit njerëzor. Ai na mëson se njeriu mund të humbasë shtëpinë, vendlindjen por jo dhe dinjitetin, solidaritetin dhe besimin te jeta. Ashtu si agimi që lind pas natës, edhe shpresa mbetet drita që i udhëheq njerëzit përmes çdo “rrethi të ferrit”.
Kjo e bën veprën një testament të kujtesës, të humanizmit dhe qëndresës, me një mesazh që mbetet i vlefshëm për çdo kohë dhe çdo brez. Bllaca ’99 në kohë lufte dhe në kohë paqeje” Rrëfimi i Fatmir Krasniqit, “Bllaca ’99 në kohë lufte dhe në kohë paqeje” shquhet për autencitetin e tij, pasi ndërthur përvojën personale me historinë kolektive të rezistencës shqiptare.
Përmes një narracioni kronologjik dhe të drejtpërdrejtë, autori dokumenton jo vetëm ngjarjet ushtarake dhe luftën heroike të UÇK-së, por edhe dimensionin njerëzor të luftës, duke e vendosur familjen dhe komunitetin në qendër të rrëfimit. Ngjarjet e përshkruara nga arsimtari Fatmir Krasniqi, zhvillohen gjatë viteve 1998-1999, periudhë kjo që përkon me luftën e Kosovës.
Ishin vitet kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës organizoi rezistencën kundër forcave serbe, ndërsa popullsia civile u përball me dhunë sistematike, granatime, dëbime dhe krime lufte. Rrëfimi i Fatmir Krasniqit pasqyron një realitet të hidhur, ku familjet nuk janë vetëm dëshmitare të konfliktit, por bëhen pjesëmarrëse aktive në mbështetjen logjistike të rezistencës.
Autori dëshmon se shtëpia e tij në Prishtinë ishte shndërruar në një pikë logjistike për furnizimin e UÇK-së. Ky fakt dëshmon se rezistenca nuk zhvillohej vetëm në vijën e frontit, por edhe në qytete, ku qytetarët organizonin transportin e ushqimeve, veshmbathjeve dhe materialeve të tjera të nevojshme për luftëtarët. Një nga veçoritë e këtij rrëfimi është karakteri dokumentar.
Mësuesi Fatmir Krasniqi, përmend data të sakta, vende konkrete dhe emra të shumtë personash, duke krijuar një dëshmi historike me vlerë të veçantë. Përmendja e lagjes “Muharrem Fejza” në Prishtinë, Malishevës, Tërpezës, Maleve të Berishës, dhe figurave konkrete e forcon besueshmërinë e narracionit. Rrëfimi nuk ndërtohet mbi elemente imagjinare, por mbi kujtesën personale.
Pikërisht kjo e bën tekstin një dokument të rëndësishëm për studimin e luftës, sepse historia rrëfehet nga perspektiva e një dëshmitari okular. Figura e protagonistit Fatmir Krasniqi paraqitet si një protagonist që mishëron përgjegjësinë qytetare dhe patriotike.
Ai nuk paraqitet si një hero në kuptimin tradicional, por si një qytetar që ndjen detyrim moral për të kontribuuar në mbrojtjen e vendit. Ai merr pjesë në organizimin logjistik, strehon njerëz, transporton materiale dhe përjeton rrezikun së bashku me familjen. Heroizmi i tij nuk manifestohet përmes armës, por përmes solidaritetit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj kauzës kombëtare.
Një nga temat më të rëndësishme të rrëfimit të tij, është shkatërrimi i jetës së zakonshme. Lufta depërton në çdo aspekt të përditshmërisë. Shtëpitë shndërrohen në pika logjistike, shkollat në strehimore, ndërsa familjet jetojnë nën granatime të vazhdueshme.
Protagonistit i rrëfimit (Fatmir Krasniqit), paraqitet si simbol i qytetarit që kontribuon në mbrojtjen e vendit jo vetëm me armë, por edhe me organizim, përgjegjësi dhe solidarizim, bashkë me bashkëshorten e tij, humanisten (motër medicionale) dhe atdhetaren, Naime Sopaj – Krasniqin. Përshkrimi i granatimeve të 19 tetorit 1998 është ndër episodet më dramatike të rrëfimit.
Autori nuk përqendrohet vetëm tek bombardimet si veprime të çmendura ushtarake policore të forcave serbe, por mbi pasojat e tyre te popullata e pambrojtur. Viktimat janë gra, fëmijë dhe familje të degdisura si mos më keq. Figura e Shpresës dhe simbolika e Nënës Një nga momentet më prekëse të rrëfimit të mësuesit,Fatmir është plagosja e Shpresës dhe foshnjës gjashtëmuajshe, Albionit.
Nëna në rrëfim paraqitet simbolin e sakrificës, ndërkaq instinkti i saj për ta mbrojtur fëmijën me trupin e vet edhe në momentin kur bie granata, është diçka hyjnore që e bëjnë vetëm Nënat, sidomos Nënat shqiptare!. Ky episod përfaqëson një nga shembujt më të fuqishëm të dashurisë prindërore në rrethana të jashtëzakonshme!.
Fakti që copëza e granatës mbetet në trupin e Albionit edhe pas shumë vitesh ka një simbolikë të veçantë. Ajo nuk është vetëm plagë fizike, por edhe metaforë e traumës së luftës që vazhdon të jetojë në trupin dhe kujtesën e të mbijetuarve.
Solidariteti si formë e rezistencës Në çdo etapë të rrëfimit të Fatmirit, shfaqen individë që ndihmojnë njëri – tjetrin: transportojnë të plagosurit, sigurojnë automjete, organizojnë trajtimin mjekësor si dhe strehojnë familjarët.
Gjithsesi, kur flasim për solidaritetin dhe ndihmën mjekësore, të cilën e gjejmë në të rrëfyer me shumë modesti nga mësues Fatmiri, një meritë e veçantë i takon Naime Sopaj – Krasniqit, motër medicionale në ORL e cila vë jetën e saj dhe të familjes në rrezik për t’i trajtuar të sëmurët e të plagosurit, (Albionin), duke i maskuar dhe improvizuar, por edhe të tjerët që kishin nevojë në ato rrethana shumë të rënda dhe tejet sfiduese e me rrezik të lartë.
Naimja aty ku nuk mund të kryente shërbime vet, angazhonte miq e të njohur në QKU, vetëm e vetëm që ndihma të mos u mungonte dhe trajtimi mjekësor të kryhej, me sigurimin e gjakut për të plagosur duke i kamufluar në forma të ndryshme që të mos hetohej nga policia serbe e cila vëzhgonte çdo gjë.
Autori përmend shumë emra e personazhe, duke treguar se mbijetesa nuk ishte rezultat i veprimit individual, por i bashkëpunimit të njerëzve vullnetmirë e solidarë. Në këtë mënyrë, solidariteti paraqitet si një formë rezistence po aq e rëndësishme sa lufta e armatosur.
Dëshmi e rëndësishme e luftës dhe sakrificës Rrëfimi i Fatmir Krasniqit përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë, ku përmes një narracioni autentik dhe kronologjik, ndërtohet një kapitull historie, duke ndërthurur heroizmin, sakrificën, dhimbjen dhe shpresën se ky popull i shumëvuajtur do ta fitojë e do ta gëzojë LIRINË!.
Njëkohësisht, episodi i plagosjes së Shpresës dhe foshnjës Albionit, e zhvendos vëmendjen nga lufta si konflikt ushtarak drejt pasojave të saj mbi civilët e pambrojtur. Kjo e bën rrëfimin jo vetëm një dokument historik, por edhe një tekst me vlera të rëndësishme humane, etike dhe letrare.
Gjithashtu, është mjaft domethënës edhe momenti kur Noli, dali i mësuesit Fatmir (pasi së bashku me babanë kishin dërguar ndihma në zonën e luftës Terpezë dhe Malet e Berishës, ku kishte takuar pjesëtarë të UÇK -së) i thotë mësueses në klasë se ai kishte takuar UÇK-në, dhe gjetunia e mësueses në ato momente.
Eksodi si përvojë kolektive Përshkrimi i largimit masiv nga Prishtina nuk paraqitet vetëm si një lëvizje e popullsisë, por si një përvojë e hidhur që shumë herë goditi popullin shqiptar. Njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre, pa e ditur se a do të kthehen më! Në këtë pjesë autori arrin të tregojë kontrastin ndërmjet jetës së zakonshme dhe realitetit të luftës.
Hapësirat urbane, që zakonisht simbolizojnë normalitetin, shndërrohen në vende ankthi dhe pasigurie. Ky transformim i hapësirës është një nga elementet më të fuqishme të rrëfimit.
Rrëfimi është një kronologji e dhimbshme, sidomos pjesa e dëbimit në Bllacë, episodi prekës i foshnjës gjashtëmuajshe që humbet nga nëna në rrëmujën e largimit, solidariteti i familjes së Fatmir Krasniqit me këtë foshnje si dhe marrjen e saj nga Kryqi i Kuq, përshkrimi i kushteve të vështira në Kampin e Bllacës, pastaj vizita e gazetarit belg Tim Pauwels në kampin e Stankovecit, intervista dhe kronika televizive që u transmetua në Belgjikë për gjendjen e refugjatëve shqiptarë të Kosovës.
Pastaj vendimi i Belgjikës për të pranuar refugjatë nga kampi, publikimi i listave dhe momenti kur gjen emrin e familjes së tij në mesin të përzgjedhurve që të shkoj në Belgjikë. Janë mjaft domethënëse edhe momentet kur protagonisti i rrëfimit mbërrijnë në Belgjikë, mikpritjen që i bëhet atje dhe intervistat për televizionet belge.
Gjatë këtij rrugëtimi dhe nisjes për në Belgjikë, në Kampin e Stankovecit, Albulena , vajza e mësuesit Fatmir edhe pse 15 vjeçare, dinte gjuhën angleze dhe në rolin e përkthyeses së improvizuar i ndihmonte të dëbuarit. Vlenë të theksohet se, rrëfimi i Fatmir Krasniqit pjesë e librit “Bllaca ‘99”, është ndër rrëfimet më mbresëlënëse të këtij libri.
Duke lexuar me kujdes këtë rrëfim, përjetojmë një pjesë të freskët të historisë më të re të Kosovës, por edhe sakrificën dhe heroizmin e një intelektuali dhe mësimdhënësi shembullor, i cili në rrethana shumë të rrezikshme për familjen dhe shtëpinë e tij, vendosi Pikën Logjistike të UÇK-së në shtëpinë e tij në Lagjen “Muharrem Fejza” në Prishtinë, duke rrezikuar edhe jetën e tij dhe të fqinjëve.
Sot, ajo shtëpi nuk ekziston më, sepse është ndërtuar një objekt banesor, por ekziston një pjesë e oborrit të shtëpisë, janë personazhet e gjallë të atyre ngjarjeve: Fatmiri dhe Naimja, fëmijët dhe fqinji i tyre, motra e Namies me bashkëshortin, të cilët rrezikuan jetën e tyre dhe të fëmijëve për t’u dal në ndihmë UÇK-së dhe të plagosurve!
Dhe sot, në këtë vend, në këtë PIKË Logjistike të UÇK-së, mungon të paktën një PLLAKË NË OBORRIN E KËSAJ SHTËPIE, QË T’U KUJTOJË BREZAVE QË VIJNË, SE EDHE NË KRYEQITETIN E KOSOVËS, NË LAGJEN “MUHARREM FEJZA” nga një shtëpi dhe nga një familje intelektuale është ndihmuar UÇK-ja!
Përfundim Letërsia dokumentare që trajton luftën e Kosovës përfaqëson një segment të rëndësishëm të kujtesës historike, memories dhe traumës që përjetuam si popull e si komb.
Pjesë e kësaj memorie, është edhe libri “Bllaca ‘99” Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II, botuar nga Office Printy” Prishtinë, 2026.Libri përmbledhë rrëfime autentike të njerëzve që përjetuan luftën, dëbimin dhe pasojat e dhunës së ushtruar nga forcat serbe, të cilat duke u nisur nga narracioni, aspekti tematik dhe stilistik, dëshmojnë se si kujtesa individuale shndërrohet në dëshmi historike.
Nga aspekti stilistik rrëfimet karakterizohen nga një gjuhë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe dokumentare, pa shumë figura stilistike duke shmangur figuracionin e tepërt dhe duke u mbështetur në përshkrimin sa më realist të ngjarjeve. Rrëfimet nuk mbesin vetëm histori personale.
Përmes kujtimeve të atyre që kanë shpalosur katrahurën e Bllacës, ndërtohet kujtesa kolektive e një pjese të luftës së së Kosovës. Ngjarjet individuale përfaqësojnë fatin e mijëra familjeve shqiptare që përjetuan të njëjtat përvoja: largime, granatime, plagosje, humbje dhe sakrifica.
Në këtë kuptim, rrëfimet marrin funksionin e një dokumenti kulturor që ruan kujtesën historike për brezat e ardhshëm!. Prishtinë, [1] Jahja Lluka, “Bllaca ‘99” Përjetimet e dë dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II, botoi Office Printy, fq.12 [2] Po aty, fq.20 [3] Po aty, fq.21 [4] Po aty, fq. 67 [5] Jahja Lluka, “Bllaca ‘99” Përjetimet e dë dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II, botoi Office Printy, Prishtinë,2026, fq.118
