Rusia fuqizon dezinformimin para zgjedhjeve gjermane, raporton Reuters

0%

Fushatat e dezinformimit të mbështetura nga Rusia po përshkallëzohen në Gjermani para zgjedhjeve shtetërore, duke synuar shpesh rivalët politikë lokalë të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka raportuar të mërkurën () Reuters duke iu referuar burimeve gjermane të sigurisë.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se AfD, udhëheqësi i së cilës u zotua të rivendosë lidhjet e Gjermanisë me Rusinë, është gati të shënojë fitore të konsiderueshme në zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Berlin dhe shtetet e Saksoni-Anhaltit dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, duke përfshirë edhe marrjen e mundshme të pushtetit në Saksoni-Anhalt.

Lidhjet me Moskën janë ngrirë kryesisht prej kohës së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2022. Fushatat ruse synojnë të polarizojnë klimën politike dhe ta diskreditojnë partinë konservatore në pushtet, CDU, dhe partnerin e saj të koalicionit, SPD, si dhe të Gjelbrit dhe Partinë Demokratike të Lirë, kanë thënë për Reutersin disa burime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Moska vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në fushatat e dezinformimit kundër Perëndimit. Ambasada e Rusisë në Berlin nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka konfirmuar të mërkurën se qeveria po monitoron fushatën e dezinformimit, që është quajtur “Matryoshka”, sipas kukullës tradicionale ruse që bën fole, porse nuk po merr masa aktive siç është fshirja e videove në internet. “Për momentin, kjo fushatë nuk po arrin shtrirje të konsiderueshme në internet.

Kjo nuk do të thotë që mund të ulim vigjilencën tonë ose diçka të tillë. Mbetet një fushatë serioze dezinformimi”, ka thënë zëdhënësi. Kreu i qeverisë së shtetit të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore u ka deklaruar mediave gjermane se autoritetet e atjeshme të sigurisë po hetojnë gjithashtu përpjekjet ruse të dezinformimit.

Fushata e orkestruar kryesisht nga Rusia Katër burimet sigurie, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin pasi nuk ishin të autorizuara të flisnin publikisht për këtë çështje, kanë thënë se autoritetet gjermane janë të sigurta se fushatat po orkestrohen në thelb nga Rusia duke përdorur një numër kompanish.

Fushatat përdorin mediat sociale për të shpërndarë video, kryesisht në anglisht, që mbajnë logot e mediave me reputacion të mirë, përfshirë BBC dhe transmetuesin gjerman, ARD. Ato përmbajnë akuza të rreme kundër politikanëve lokalë, duke filluar nga akuzat për përvetësim deri te ngacmimi dhe abuzimi seksual.

Moska është përballur rregullisht me akuza për ndërhyrje në zgjedhje në mbarë botën. Qeveria gjermane ka paralajmëruar për fushatë të ngjashme dezinformimi të orkestruar nga Rusia para zgjedhjeve të vjetme parlamentare federale. Dhe së fundmi, Rusia u akuzua se po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në Moldavi e Armeni.

“Kjo ofensivë e vazhdueshme dhe e pandalshme nga Rusia, e cila është e sanksionuar dhe e drejtuar nga shteti, është realitet”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. “Kjo nuk është një deklaratë në lidhje me këtë rast specifik. Por është shumë e qartë se ne duhet të mbetemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë situatë”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo