E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës. Sulmuesi anglez pritet të rikthehet te Manchester United pas huazimit njëvjeçar te Barcelona, ku realizoi 14 gola dhe dhuroi 14 asistime në 49 ndeshje. Megjithatë, klubi katalanas vendosi të mos paguante rreth 30 milionë euro për ta blerë përfundimisht.
Sipas raportimeve të fundit, dy klube të Premier League kanë shfaqur interes konkret për transferimin e 28-vjeçarit, edhe pse identiteti i tyre nuk është bërë publik. Për Rashfordin interesohen gjithashtu Fenerbahçe, si edhe disa skuadra nga Italia, Gjermania, Turqia dhe Arabia Saudite. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që ai të vazhdojë te Manchester United.
Trajneri Michael Carrick raportohet se e sheh Rashfordin si një nga lojtarët kyç të projektit të tij dhe dëshiron ta mbajë në “Old Trafford”. Sulmuesi është aktualisht futbollisti më i paguar i Manchester United, me një pagë prej rreth 380 mijë eurosh në javë, ndërsa kontrata e tij me klubin anglez skadon në verën e vitit 2028.
