Nuk është vetëm UEFA

0%

Skënderbeu vazhdon të përballet me një problematikë që është kthyer pothuajse në traditë në vitet e fundit. Edhe këtë verë, skuadra korçare po vuan mungesën e një prej futbollistëve të huaj për shkak të vonesave në procedurat burokratike për pajisjen me vizë.

Ka kaluar më shumë se një muaj nga nisja e përgatitjeve për sezonin e ri, por golashënuesi më i mirë i Skënderbeut në edicionin e kaluar, egjiptiani Saleh Nasr, ende nuk i është bashkuar ekipit. Sulmuesi vazhdon të presë miratimin e vizës nga autoritetet shqiptare, procedurë që po pengon rikthimin e tij në Korçë.

Sipas burimeve pranë klubit, lojtari është gati të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe të vihet menjëherë nën urdhrat e stafit teknik. Megjithatë, pengesa mbetet vetëm dokumentacioni, pasi ende nuk ka përfunduar procedura e pajisjes me vizë. Prej disa vitesh, sistemi i vizave për shtetasit e huaj në Shqipëri funksionon përmes platformës elektronike “e-Visa”, ku të gjitha aplikimet kryhen online.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në shumë raste, procesi zgjatet për shkak të numrit të lartë të kërkesave për hyrje në Shqipëri, qoftë për arsye pune, turizmi, rezidence apo bashkimi familjar. Në këtë kategori përfshihen edhe futbollistët e huaj që aktivizohen në klubet shqiptare. Te Skënderbeu mbizotëron optimizmi se kjo situatë do të marrë fund shumë shpejt.

Sipas informacionit të klubit, pritshmëria është që Saleh Nasr të pajiset me vizën gjatë ditëve në vijim dhe t’i bashkohet skuadrës brenda javës së ardhshme, në mënyrë që të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Rasti i sulmuesit egjiptian rikthen edhe një herë në vëmendje vështirësitë që hasin klubet shqiptare me procedurat e pajisjes me viza për futbollistët e huaj.

Edhe në sezonet e kaluara, Skënderbeu është përballur me situata të ngjashme, duke qenë i detyruar të presë mbërritjen e lojtarëve të huaj për shkak të procedurave administrative, çka shpesh ndikon edhe në ritmin e përgatitjeve të skuadrës.

Burimi: Bota Sot