Ministrja në detyrë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga nesër, , do të fillojnë kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja Kusari- Lila ka njoftuar se MINTI bazuar në gjetjet e përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, ose deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit.
“Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional”- ka thënë ajo në Facebook.
Sipas, ministres Kusari- Lila, duke filluar nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, do të zhvillojë kontrolle intensive në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, duke përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.
“Kontrollet do të fokusohen në: përputhshmërinë ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë; deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe çdo përbërësi tjetër; saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve; dokumentacionin e lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë e produkteve; produktet që mbahen për tregtim ose ofrohen për shitje”- thuhet në postimin e ministres në detyrë Kusari- Lila.
Po sipas njoftimit, çdo produkt për të cilin pas verifikimeve zyrtare dhe analizave laboratorike konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale do të tërhiqet menjëherë nga tregu në përputhje me procedurat ligjore.
Kusari- Lila ka thënë se ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë gjobat, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe çdo masë tjetër të paraparë me legjislacionin në fuqi.
MINTI, sipas Kusari- Lila, u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë pa asnjë kompromis detyrimet ligjore për përbërjen, emërtimin dhe etiketimin e produkteve. “Çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të sanksionohet sipas ligjit”- ka potencuar ajo.
Qytetarët shton Kusari -Lila kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë. Kusari- Lila thot se institucionet do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për ta mbrojtur këtë të drejtë, për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
Analizat e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në mostrat e marra gjatë periudhës prill–korrik 2026 nga inspektorët veterinarë dhe fitosanitarë kanë nxjerrë në pah shkelje të theksuara të rregullave të etiketimit dhe standardeve të sigurisë ushqimore në treg.
Nga testimet laboratorike të bëra mbi një varg produktesh të qumështit dhe nënprodukteve të tij – si djathë, gjizë, ajkë, krem pite, kos dhe margarinë — është detektuar prania e vajit të palmës dhe yndyrave bimore të cilat nuk kanë qenë të deklaruara në paketimin e produktit.
