Jo, Konsullatë të Serbisë në qytetin historik të Shkodrës, mburrjes

0%

Kur Serbia nuk po mund ta imponojë politikën e saj shoviniste e kriminale në Dardani nën qeverisjen e Albin Kurtit, madje as me ndihmën dhe bashkëpunimin e dy Vuçiqëve – atij të Beogradit dhe atij të Tiranës – atëherë, si një lloj baraspeshe e interesave të saj politike, i është vërsulur Shkodrës.

Jo rastësisht, sepse e di se aty gërshetohet historia krenare shqiptare me aspiratat e kahershme, por të pasuksesshme, serbo-malazeze. Falë veprimeve heroike të shqiptarëve të asaj kohe, Shkodra mbeti në duart e shqiptarëve, të atdhetarëve të vërtetë.

Kur veriu, pothuajse i dorëzuar Serbisë nga ish-udhëheqja dardane, nën qeverisjen e Albin Kurtit, sipas qëndrimeve të tij të palëkundura, po e zhvesh përditë lakuriq shtetin gjenocidal serb, duke i ngritur aktakuzën pas 27 vitesh, në kohën kur ish-udhëheqësit heshtnin, madje pati edhe tentativa që të amnistoheshin kriminelët serbë si pasojë e nënshtrimit ndaj shantazheve serbe, të vetëpranuara, bile edhe pa kërkesën e saj, duke pranuar statusin e të poshtëruarit, gjë që rezultoi me rrezikun potencial të ndarjes së pjesës veriore, të dakorduar me udhëheqjen serbe dhe atë shqiptare në Tiranë, me ndihmën e disa miqve dhe lobistëve të Serbisë nga SHBA-ja.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me ndihmën e Prokurorisë Shtetërore dhe Policisë së Kosovës, sot u zbulua edhe një varrezë masive. Nëse Evropa nuk dëshiron të vazhdojë me politikat e saj të vjetra injoruese, por synon të jetë e drejtë, universale dhe e barabartë për të gjitha shtetet dhe kombet, atëherë duhet që Serbisë t’i drejtohet zyrtarisht dhe seriozisht, më shumë se kurrë më parë, se ajo nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian për sa kohë nuk heq dorë nga politikat e saj provokuese dhe destabilizuese, të inkurajuara nga Rusia, të cilat përbëjnë rrezik potencial për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.

Duke u sjellë si aleate e vendosur e Rusisë së shekullit XXI, së bashku me aleatët e saj, si Kina, Serbia paraqet kërcënim për Evropën dhe për aleatin e saj, por edhe tonin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një kohë krizash në Lindjen e Mesme dhe përpjekjesh për arritjen e një marrëveshjeje për ndërprerjen e konfliktit me Iranin.

Një situatë e tillë mbart rrezikun e një përshkallëzimi me pasoja të gjera gjeopolitike. Vuçiqi i Tiranës, në përpjekje për të krijuar një baraspeshë politike, pasi dështoi me politikat e tij ndaj Dardanisë, si një lloj arsyetimi dhe shfajësimi para Vuçiqit të Beogradit, e pranoi këtë tradhti të tijën, për të cilën do të pësojë, si gjithmonë, në mënyrë të turpshme.

Në mungesë të guximit për t’iu kundërvënë Vuçiqit, turpi do t’i mbetet i përjetshëm, ndërsa Shqipëria, falë patriotëve të devotshëm nga Shqipëria dhe mbarë shqiptaria, do t’i kthehet popullit sipas kërkesave të protestave paqësore dhe qytetare. Atëherë shqiptarët do ta zgjedhin më në fund një udhëheqje vërtet shqiptare.

Dardania, shtylla e shqiptarisë, e cila u përball dhe vazhdon të përballet me armikun e saj shekullor dhe mercenarët e tij të paguar mirë, do t’i dalë zot Shqipërisë, ashtu siç i doli zot edhe në aktin më sublim shtetformues – shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Thënia e njohur gjatë historisë: “Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”, ishte një mesazh i fuqishëm kombëtar, i ngulitur në mendjet e bijve dhe bijave shqiptare.

Ky është një mesazh i përjetshëm për unitet, me theks të veçantë për brezat e rinj, të cilët u anashkaluan, u injoruan dhe u detyruan të largohen nga atdheu, për të dëshmuar në botën perëndimore histori suksesi në fusha të ndryshme, si shkenca, teknologjia, mjekësia, teknika dhe filozofia politike bashkëkohore me përmasa ndërkombëtare.

Atyre duhet t’u mundësohet kthimi në atdhe, duke u sistemuar në pozita sipas përgatitjes profesionale dhe aftësive të tyre, në mënyrë që dijen dhe përvojën ta vënë në shërbim të vendit dhe popullit të tyre.

Për ta arritur këtë, kjo udhëheqje aktuale shqiptare, të cilën e konsideroj narko-hajduto-kriminale dhe tradhtare, duhet të largohet, ashtu siç po kërkojnë rinia dhe populli i bashkuar në Shqipëri, me mjete demokratike dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

Dhe, në fund, askush nuk mund të arsyetohet më se nuk ka njohuri për mercenarët dhe tradhtarët, jo vetëm në Shqipëri, por, fatkeqësisht, edhe në mbarë kombin shqiptar.

Derisa po i shkruaj këta rreshta, është duke u zhvilluar takimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, me shpresën dhe dëshirën që interesi i shtetit të mbretërojë mbi atë partiak, të krijohet një koalicion i sinqertë për të dalë nga kriza institucionale dhe për të bashkëqeverisur në mandatin e ardhshëm, duke shmangur përqendrimin e pushtetit si pasojë e mosbashkëpunimit të subjekteve të tjera politike, gjë që është e dëmshme për demokracinë dhe funksionimin normal të shtetit në interes të qytetarëve.

Qytetarët e meritojnë përfundimisht qetësinë dhe jo maltretimin me zgjedhje të njëpasnjëshme e të kushtueshme.

Burimi: Bota Sot