Barcelona ka bërë një tjetër hap në përpjekjet për transferimin e Julián Álvarez nga Atlético Madrid. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka udhëtuar drejt Madridit, ku pritet të takohet me Fernando Hidalgon, përfaqësuesin e Julián Álvarez dhe Joao Amaral, për të diskutuar mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas. Álvarez ka kontratë me Atlético Madrid deri në vitin 2030, por Barcelona shpreson që, nëse krijohen kushtet e duhura, vetë futbollisti të shprehë dëshirën për t’u larguar nga klubi madrilen.
Sulmuesi 26-vjeçar është shndërruar në një objektiv të rëndësishëm për Barcelonën, veçanërisht pas largimit të Robert Lewandowskit drejt MLS-së. Trajneri Hansi Flick e sheh Álvarezin si një kandidat ideal për të marrë rolin e sulmuesit kryesor të skuadrës. Përveç paraqitjeve me Atlético Madridin, Álvarez ka qenë një figurë e rëndësishme edhe me kombëtaren e Argjentinës.
Sipas beIN SPORTS, takimi i Decos në Madrid tregon se Barcelona po kërkon të avancojë konkretisht negociatat për një prej sulmuesve më të kërkuar në merkato.
