Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministër në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot (4 gusht) në një përpjekje të re për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja, vetëm dy ditë para seancës konstituive të Kuvendit.
LDK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit, ndërsa zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka konfirmuar për KALLXO.com se takimi do të mbahet në orën në objektin e Kuvendit të Kosovës. Ky është takimi i tyre i dytë.
Takimi zhvillohet në një moment vendimtar, pasi seanca konstituive është caktuar për 6 gusht, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht. Pikërisht për këtë arsye, vëmendja politike është përqendruar te raporti ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, pasi dy partitë shihen si kombinimi më i mundshëm për zhbllokimin e ngërçit institucional.
Kurti ka ftuar në takime të ndara edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini. Megjithatë, të dy këto parti e kanë refuzuar ftesën. Hamza ishte takuar me Kurtin më 10 korrik. Edhe pse para takimit kishte deklaruar se PDK-ja nuk kishte “vija të kuqe” për bashkëpunim, pas përfundimit të bisedës ai njoftoi se partia e tij do të mbetet në opozitë.
“Bazuar në bisedat që kemi pas – normalisht korrekte – PDK është në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë suksese zotëri Kurtit dhe partive tjera” – kishte deklaruar Hamza.
Edhe më 14 korrik, PDK-ja, pas një mbledhjeje të deputetëve të zgjedhur, kërkoi formimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke theksuar se vendit i duhen institucione funksionale për t’u marrë me sfidat ekonomike, sociale dhe shtetërore. Ndryshe nga PDK-ja, takimi i parë mes Kurtit dhe Abdixhikut ishte vlerësuar si konstruktiv.
Pas takimit të 10 korrikut, ku ishte e pranishme edhe bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, Kurti kishte thënë se marrëveshje ende nuk kishte, por ishte optimist për rrugën përpara. “Ishte takimi i parë… Kemi diskutuar të gjitha këto por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që të mund ta ndaj me ju. Jam optimist për rrugën përpara” – kishte deklaruar Kurti.
Procesi i konsultimeve u ndërpre përkohësisht pasi Abdixhiku pezulloi takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, ku një grup delegatësh kishte kërkuar Kuvend të Jashtëzakonshëm për shkarkimin e tij. Pas rikonfirmimit në krye të partisë më 30 korrik, Abdixhiku njoftoi se pezullimi i konsultimeve me Vetëvendosjen nuk vlen më, duke hapur rrugën për takimin e e 4 gushtit.
Ndërkohë, Aleanca ka refuzuar edhe takimin e parë të ftesës. Kryetari i saj, Ardian Gjini, kishte bërë të ditur që më 9 korrik se nuk e sheh të arsyeshëm një takim me Kurtin, duke ofruar vetëm mbështetje për kuorumin në zgjedhjen e presidentit nëse pranohen gjashtë kushtet e Aleancës, që përfshijnë, mes tjerash, gazsjellësin amerikan, ndërtimin e një termocentrali të ri, rritjen e pragut të TVSH-së dhe investime të mëdha infrastrukturore.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
