Klubi i futbollit Vëllaznimi nga Gjakova ka njoftuar me zemër të thyer, se ka ndërruar jetë ish futbollisti Fahredin Mati. Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe për futbollin dhe sportin e Kosovës. “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së KF Vëllaznimit, Fahredin “Dush” Mati.
Dush Mati ishte një nga figurat më të respektuara të klubit tonë, duke mbrojtur me krenari si qendërsulmues fanellën kuqezi nga viti 1955 deri më 1968. Edhe pas përfundimit të karrierës, ai mbeti tifoz i palëkundur, duke e ndjekur klubin e zemrës të njëjtën dashuri deri në ditët e fundit.
Kontributi, përkushtimi dhe dashuria e tij për KF Vëllaznimin do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Mati, të afërmve dhe miqve:, ka njoftuar KF Vëllaznimi.
