Kryenegociatori i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Agron Bajrami, ka njoftuar se i ka përcjellë zyrtarisht Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sørensen, shqetësimet e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Ai ka kërkuar që BE-ja të sigurojë zbatimin e plotë nga Serbia të angazhimeve të marra në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur. “Kam kërkuar që BE-ja të sigurojë që Serbia t’i zbatojë plotësisht angazhimet e saj në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen e pakufizuar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që dalin përpara me informacione.
Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”- ka shkruar ai në X. Çështja e personave të zhdukur vazhdon të jetë një nga temat kryesore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Hetimet për një lokacion të dyshuar për varrezë masive në Zubin Potok janë zgjeruar në një pikë të tretë, ku po vazhdojnë veprimet hetimore dhe verifikimet në terren.
Dyshimet lidhen me mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999. “Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë.
Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore”- Sipas Prokurorisë, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
“Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë”- thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka theksuar se për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve nuk mund të japë më shumë detaje për lokacionin e tretë apo për veprimet që po zhvillohen atje. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment.
Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”- thuhet në komunikatë. Për gërmimet në Zubin Potok dyshohet se bëhet fjalë për 23 intelektualët të cilët sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë punuar që nga viti 2021 në zonën ku së fundmi janë gjetur mbetje mortore, në Zubin Potok, duke theksuar se identifikimi i lokacionit është bërë falë angazhimit të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Hoti, i cili më parë ka shërbyer si kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe është vetë i biri i profesorit Ukshin Hoti, po ashtu i zhdukur gjatë luftës në Kosovë, tha se zakonisht shmang deklarimet për raste të tilla, pasi e njeh nga afër dhimbjen dhe pritjen e familjeve.
Ai tha se familjarët e kanë kontaktuar ditëve të fundit me shqetësime të mëdha, duke sqaruar se procesi i identifikimit të mbetjeve mortore përmes analizës së ADN-së zgjat të paktën gjashtë muaj.
Sipas tij, procedura fillimisht zhvillohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku bëhen ekzaminimet, e më pas mostrat dërgohen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) në Hagë, ku kryhet krahasimi i ADN-së. “Unë zakonisht rezervohem me u deklaru për çështje të tilla se e di se çka ndiejnë dhe se çka përjetojnë familjarët këto ditë.
Jo vetëm që e di, por edhe më kanë kontaktu (familjarët) ato ditë me shqetësime të mëdha, sepse familjarët nuk e dinë dhe nuk e kanë për obligim me e ditë që veç procedura e krahasimit me ADN minimum gjashtë muaj i merr.
Sepse është një procedurë që më së pari duhet me u bartë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me u bo ekzaminimet aty e pastaj dërgohen në Hagë, në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, në laborator të Hagës dhe atje merr goxha një kohë derisa te bën përputhshmërinë ose jo”- tha ai për Kallxo.com.
Deklarata për Personat e Zhdukur, e miratuar nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian më , synon të përshpejtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999.
Palët janë zotuar për bashkëpunim në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore, përfshirë sigurimin e qasjes në informacione dhe arkiva relevante, si dhe trajtimin e çështjes së të zhdukurve si çështje humanitare. Megjithatë kjo nuk është respektuar nga Serbia.
Deklarata parasheh krijimin e një Komisioni të Përbashkët me mandat për të mbikëqyrur zbatimin e angazhimeve, ndërsa familjet e personave të zhdukur kanë kërkuar vazhdimisht që marrëveshja të zbatohet në praktikë dhe që institucionet serbe të ofrojnë informacione për lokacionet e mundshme të varrezave masive.
