Në ditën kur Bordit të ZRRE-së i ka skaduar mandati () Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka njoftuar se nga 1 shtatori 2026 për gjithë konsumatorët do të fillojë të zbatojë taksat për shkyçje dhe rikyçje në rrjet.
Ndonëse në njoftim nuk ka bërë të ditur sa është çmimi i tarifave, KESCO ka thënë se kjo bazohet sipas rregullativës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Sipas tashmë ish kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tarifa për shkyçje nga rrjeti për konsumatorët shtëpiak është 17 euro, e po ashtu edhe për rikyçje në rrjet tarifa është e njëjtë, 17 euro.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Fejzullahu ka thënë se në të kaluarën kjo tarifë ka qenë 58 euro, ndërsa sipas tij, gjatë mandatit të tij, kjo tarifë është zvogëluar. “Deri në kohën kur kemi qenë na kanë qenë 58 euro, por ne e kemi bo 17 euro. Shkyçja është 17, edhe rikyçja është 17 euro. Për komercial nuk e di nuk më kujtohet saktë.
Këto gjithmonë kanë qenë, por ne i kemi rishiku në vitin 2021-2022” – ka thënë Fejzullahu përmes telefonit. Sipas tij, këto tarifa janë të bazuara në një rregullore, e cila ishte miratuar në mars të vitit 2017.
Pikërisht Fejzullahut dhe katër anëtarët të tjerë të Bordit të ZRRE-së: Lutfije Dervishit, Gani Buçajt, Arta Isufit dhe Adnan Preniqit me iu ka skaduar mandati, që domethënë se aktualisht Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) është pa bord funksional. Kjo do të thotë që pa një bord funksional, ankesat e palëve nuk mund të trajtohen.
Fejzullahu ka thënë se për ankesa të vogla, që janë kryesisht të konsumatorëve shtëpiak mund të trajtohen nga një departament brenda ZRRE-së, por sipas tij, ankesat e konsumatorëve komercialë dhe kompanive të mëdha, nuk mund të trajtohen deri të funksionalizohet bordi. “Ankesat mbesin të bllokuara, derisa të caktohet bordi i ri.
Por këto ankesat që janë të vogla të konsumatorëve shtëpiak, ka të drejtë Departamenti me i shqyrtu. Nëqoftëse nuk janë të kënaqur konsumatorët, në ZRRE janë dy nivele. Jep përgjigje stafi që është Departamenti, e tani nëse konsumatori nuk është i kënaqur e apelon në Bord.
Ose edhe në rastet komerciale rastet e mëdha nuk ka kush i trajton, këto duhet bordi duhet me i trajtu” – ka thënë Fejzullahu. E pikërisht në ditën kur skadoi mandati i këtij bordi, KESCO lëshoi një njoftim, duke bërë të ditur se nga 1 shtatori 2026, do të zbatojë tarifat e shkyçjes dhe të rikyçjes.
Në njoftim, KESCO tha se krahas tarifës së shkyçjes, nga 1 shtatori do të zbatohet edhe tarifa e rikyçjes, pa shpjeguar se pse nuk është zbatuar kjo tarifë deri më tash.
“Sipas njoftimit të OSSH-së, nga 1 shtatori 2026 do të aplikohet tarifa e rikyçjes për konsumatorët që janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare dhe që kërkojnë rikyçjen e furnizimit me energji elektrike.Kjo tarifë do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi, në përputhje me rregullativën e ZRRE-së” – thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.
KALLXO.com ka pyetur KESCO-n se pse është bërë pikërisht tani ky lloj ndryshimi, por deri në publikimin e këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
