Merkatoja e futbollistëve gjatë kësaj vere mund të shënojë një lëvizje shumë të pazakontë, që po qarkullon gjithnjë e më shumë si hipotezë në mediat italiane.
Klubi i PSG-së ka nisur bisedimet me Parmën për transferimin e portierit japonez Zion Suzuki, paraqitjet e tij në Botëror kanë bindur francezët të investojnë për portierin e talentuar dhe palët po negociojnë për një marrëveshje që arrin 30 milionë eurot. Por Suzuki nuk pritet të bëhet pjesë e PSG-së gjatë këtij viti, pasi aty Safonov është titullar i paprekshëm për momentin.
Kësisoj, ka lindur ideja e blerjes dhe e huazimit të tij të menjëhershëm te një klub që luan për objektiva madhorë, për të parë se si paraqitet atje para se të transferohet në Francë. Në këtë situatë, hyn në skenë Juventusi, që është në kërkim të një portieri të ri, pasi Di Gregorio është drejt largimit.
Bardhezinjtë janë gati të huazojnë Suzukin deri në fund të sezonit, duke e aktivizuar si titullar, për të zgjedhur më pas një portier të ri. Bëhet e ditur se nëse dështon pista Vikario, Juventusi do të fokusohej tërësisht te huazimi i Suzukit nga gjigandët francezë.
