Ish-zëvendëspresidenti i FIFA-s, Princi Ali bin Al Hussein, ka kritikuar ashpër udhëheqjen e Gianni Infantino-s, duke thënë se rizgjedhja e presidentit aktual të FIFA-s po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.
Princi Ali, i cili udhëheq Federatën e Futbollit të Jordanisë, ka deklaruar se vendi i tij ende nuk ka marrë paratë e premtuara nga FIFA për arritjen në finalen e Kupës Arabe të FIFA-s, të zhvilluar në Katar në dhjetor të vitit të kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, ai pretendoi se gjatë Kupës së Botës, ku Jordania bëri debutimin historik, i ishte thënë se nëse do të mbështeste Infantino-n për një mandat të ri, kjo “do të ndihmonte shumë federatën” e tij. “Ne në Jordani krenohemi me respektimin e vlerave etike.
Nuk e kemi mbështetur më parë dhe sigurisht që nuk do ta bëjmë as tani”, shkroi Princi Ali, duke e cilësuar situatën si “shantazh”. Ai tha se Federata Jordaneze ende nuk ka marrë shumën prej 4.2 milionë dollarësh që i takon si finaliste e Kupës Arabe, ndërsa akuzoi FIFA-n se nuk ka ndihmuar federatën në çështje të tjera për muaj të tërë.
Infantino ndodhet nën presion pas reagimeve të shumta në botën e futbollit lidhur me një plan tashmë të dështuar për shitjen e një pjese të fitimeve të ardhshme të Kupës së Botës te investitorë privatë. Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s janë caktuar më 18 mars në Rabat të Marokut, ndërsa kandidatët kanë afat deri më 18 nëntor për të shpallur kandidaturat e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
