Shpërndaje në: Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, është ankuar në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës Supreme, duke kontestuar çështjen e ulëses së 10-të për komunitetin serb në Kuvend të Kosovës. Lista Serbe në zgjedhjet e 7 qershorit siguroi nëntë ulëse. Të dhjetën e siguroi partia ZSPO e Nenad Rashiqit.
Sipas Listës Serbe, Rashiqi ka fituar vota në mjedise ku jetojnë pak ose hiq serbë. Ajo ka kërkuar anulimin e këtyre votave, por kërkesa u hodh poshtë deri në Gjykatën Supreme. Pretendimi i Listës Serbe është se me këtë rezultat i është mohuar ulësja e garantuar për komunitetin serb. Gjykata Supreme ka theksuar se ankesat nuk janë të mbështetura me prova që vërtetojnë manipulime të tilla.
Në vendim thuhet se vota është e lirë dhe e fshehtë. Në njoftimin e Listës Serbe është thënë se Supremja s’ka ofruar mbrojtje kushtetuese për ulëset e rezervuara. Kjo parti ka pretenduar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Supremja s’i janë përgjigjur qëllimit kushtetues për vendet e rezervuara.
“Gjykatës Kushtetuese iu propozua që për herë të parë të ofrojë një interpretim të qartë kushtetues të përmbajtjes së kësaj garancie dhe të përcaktojë nëse mënyra ekzistuese e zbatimit të legjislacionit zgjedhor siguron qëllimin e tij të vërtetë apo e bën atë vetëm një institut formal pa mbrojtje efektive”, thuhet në reagimin e kësaj partie, siç transmeton Kossev .
“Nëse do të pranohej që përfaqësuesit politikë të një komuniteti mund të zgjidhen në mënyrë vendimtare nga anëtarët e komuniteteve të tjera, atëherë vetë qëllimi i vendeve të rezervuara parlamentare do të vihej në pikëpyetje, jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera jo-shumicë të cilave Kushtetuta u garanton përfaqësim të veçantë politik”.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i ka 120 ulëse. 20 prej tyre janë të garantuara për përfaqësim të komuniteteve (10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera).
