I përgjigjet Alonsos

0%

Pasi prej muajit shkurt kishte lënë të kuptohej se mund të largohej nga Formula 1, Maks Vershtapen tani duket se ka shuar pothuajse të gjitha dyshimet. I pyetur sërish për vendimin e tij, i cili mund të bëhet publik pas pushimeve verore, kampioni holandez komentoi edhe deklaratën e Fernando Alonsos.

Piloti spanjoll kishte thënë pas Çmimit të Madh të Belgjikës, përpara përmirësimeve të makinës Aston Martin në Hungari: “Nëse largohem, nuk do të jetë për shkak të performancës së makinës, por sepse mund të mos e shijoj këtë rregullore. “Sigurisht, Fernando është 45 vjeç, kështu që ndoshta për të është më e lehtë të thotë: ‘ Po tërhiqem’”, u shpreh Vershtapen.

“Por për një pilot profesionist është e vështirë, sidomos kur nuk ndihesh rehat me rregulloren dhe nuk je konkurrues. Fernando, sigurisht, nuk e meriton të jetë në vendin e 21-të në kampionat”, deklaroi piloti i Red Bullit, i cili më pas shtoi: “Unë jam 28 vjeç, kështu që situata është paksa ndryshe. Natyrisht që mund të ndalem kur të dua, nuk është problem, por mua më pëlqen të garoj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po përpiqem të përshtatem me atë që kemi tani, edhe pse për momentin nuk është ajo që do të doja”. Vershtapen pritet të vazhdojë në Formulën 1, veçanërisht pas vendit të dytë në Hungari dhe me shpresën se në sezonin 2027 do të ketë një makinë më konkurruese dhe një rregullore më të përshtatshme me stilin e tij të pilotimit.

“Personalisht ndihem mirë, por nuk ka asgjë për të komentuar, sepse nuk po ndodh asgjë. Jam i përqendruar të nxjerr maksimumin nga makina dhe kjo është tashmë një sfidë mjaft e madhe”, tha ai për të ardhmen e tij gjatë pjesës së mbetur të sezonit 2026. “Ky ekip është si një familje e dytë për mua. Thjesht po përpiqem ta kuptojmë më mirë makinën tonë dhe të rikthehemi te fitoret.

Kemi qenë shumë pranë një fundjavë, në Budapest, dhe shpresoj që kjo të ndodhë më shpesh. Siç e kam thënë edhe më parë, tendenca është qartësisht në përmirësim dhe kjo është diçka pozitive”, përfundoi piloti holandez.

Gjithçka lë të kuptohet se katër kampioni i botës do të vazhdojë të jetë pjesë e Formulës 1, ashtu siç besojnë edhe drejtori i skuadrës së tij, Laurent Mekies, dhe mentori i tij, Helmut Marko.

Burimi: Bota Sot