Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, do të mbahet për herë të 25-të në Prizren, nga 7 deri më 15 gusht. Në kuadër të festivalit do të shfaqen gjithsej 223 filma, duke përfshirë edhe filmat garues.
Sipas një njoftimi të DokuFest-it, këtë vit festivali ka pranuar 3 mijë e 687 aplikime filmash nga e gjithë bota, ndërsa 104 prej tyre janë përzgjedhur për të konkurruar në tetë kategori zyrtare. Në njoftim thuhet se përzgjedhja garuese përfshin disa nga filmat dokumentarë e të shkurtër më të guximshëm dhe më aktualë të vitit, si dhe një numër të madh premierash botërore.
Tema kryesore e edicionit të 25-të të festivalit është “Persistent Defiance” (Mosbindje e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku sepse duhet!) do të trajtojë konfliktet e kohës sonë, krizën klimatike dhe transformimet shoqërore.
Sipas organizatorëve, kjo qasje pasqyron frymën e DokuFest-it ndër vite për të promovuar shprehjen e lirë dhe artikulimin e qëndrimeve edhe në rrethana të vështira. Programi i festivalit do të përfshijë filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Përveç garave kombëtare dhe ndërkombëtare, publiku do të ketë mundësi të ndjekë programet Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox dhe Green Dox, si dhe programet e kuruara View from the World, Fiction / Non-Fiction, Music on Film, Special Screenings, Blast from the Past, Focus Ireland, Masters of Shorts dhe Parajanov Triptych.
Shfaqjet e filmave do të mbahen në lokacione të ndryshme të Prizrenit, përfshirë DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, sallat e Teatrit “Bekim Fehmiu” dhe Abi Qarshinë. Gjithashtu, aktivitetet DokuTalks do të organizohen në Shkollën e Muzikës, ndërsa programi DokuKids në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohet edhe programi Spotlight, i kushtuar regjisores britanike Sophie Fiennes, programi i realitetit virtual Doku Immersive, aktivitetet për fëmijë DokuKids, si dhe platforma profesionale Short Film Forum, e cila bashkon kineastë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme të botës.
Një nga të ftuarit kryesorë të festivalit do të jetë dokumentaristi i njohur botëror Mark Cousins. Ai në Prizren do të sjellë dy kapituj filmikë nga vepra e tij 16-orëshe “The Story of Documentary Film”. Këto shfaqje, të përfshira në kategorinë Special Screenings, u kushtohen viteve 1960 dhe 1980. Programi muzikor DokuNights do të nisë më 12 gusht dhe do të zgjasë katër net.
Koncertet do të mbahen në një nga hapësirat ikonike të Prizrenit, Andrra Stage. DokuFest, përmes njoftimit të tij, ka ftuar të gjitha mediat në Kosovë dhe rajon që gjatë ditëve të festivalit të përcjellin nga afër programin dhe aktivitetet.
Organizatorët kanë bërë të ditur gjithashtu se në ditët në vijim do të publikohen detaje të reja për programet View from the World dhe Country in Focus, anëtarët e jurisë ndërkombëtare, masterklasat, panelet dhe programin e koncerteve.
